Ish-deputetja e PD emërohet drejtoreshë e spitalit të Elbasanit

Nga A2 CNN
21 Tetor 2025, 11:30 | Aktualitet

Ish-deputetja e PD emërohet drejtoreshë e spitalit të Elbasanit

Ish-deputetja demokrate Zheni Gjergji është emëruar drejtoreshë në Spitalin e Elbasanit. Teksa njofton marrjen e detyrës së re në spitalin “Xhaferr Kongoli”, Gjergji sqaron se ka hequr dorë nga funksionet e saj në Partinë Demokratike.

Ish-ligjvënësja më tej bën me dije se ajo nuk ishte një zgjedhje politike, por një vendim profesional, pasi ka zgjedhur të jetë në shërbim të qytetarëve të saj.

Postimi i Zheni Gjergjit:

Të nderuar miq,

Të nderuar qytetarë të Elbasanit,

Sot kam pranuar me përgjegjësi dhe përulësi detyrën si Drejtoreshë e Spitalit Rajonal “ Dr. Xhaferr Kongoli” Elbasan.

Kjo nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional dhe njerëzor.

Pavarësisht angazhimit tim të mëparshëm politik, unë kam qenë dhe mbetem mjeke.

Profesioni im është thirrje, jo pozicion. Kam zgjedhur të jem aty ku mund të jap më shumë për shëndetin e njerëzve, për komunitetin tim, për qytetin që dua.

Elbasani është qyteti im, vendi ku jam rritur dhe ku kam ndërtuar identitetin tim profesional. Të jem në krye të institucionit më të rëndësishëm shëndetësor të këtij qyteti është për mua një nder, por mbi të gjitha një sfidë që kërkon përkushtim, dije dhe ndershmëri.

Shëndetësia ka nevojë për njerëz që e njohin sistemin, që ndjejnë barrën e përgjegjësisë dhe që janë të gatshëm të punojnë me përkushtim, përtej bindjeve dhe kornizave politike.

Faleminderit për besimin. Angazhimi im do të jetë çdo ditë në shërbim të pacientit, stafit mjekësor dhe dinjitetit të kujdesit shëndetësor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos