Kryetarja e Kushtetueses: Një gjykatë që nuk guxon, është thjesht dekor institucional

Nga Anesti Barjamemaj
20 Tetor 2025, 14:47 | Aktualitet

Kryetarja e Kushtetueses: Një gjykatë që nuk guxon,

Në fjalën e saj përpara përfaqësuesve të Kuvendit, Qeverisë, Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias, gjatë aktivitetit me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, të organizuar në Tiranë, Zaçaj theksoi rëndësinë jetike të drejtësisë kushtetuese për garantimin e të drejtave themelore dhe ruajtjen e ekuilibrave demokratikë.

Të drejtat e njeriut, tha ajo, nuk janë ideologji apo mendime abstrakte, por pjesë përbërëse e qenies sonë që marrin kuptim vetëm përmes zbatimit të tyre nga institucionet publike.

Duke vënë theksin te bashkëpunimi afatgjatë me Komisionin e Venecias, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese u shpreh: “Në këto tri dekada, Komisioni i Venecias ka qenë një partner thelbësor në konsolidimin e sistemit tonë kushtetues dhe në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut. Ky bashkëpunim ka ndihmuar në rritjen e profesionalizmit dhe legjitimitetit të institucioneve tona, duke forcuar themelet e shtetit të së drejtës.”

Zaçaj vijoi fjalën e saj duke theksuar se “kërkimi i një opinioni këshillimor duhet të ndodhë paraprakisht, jo si mjet për të kontestuar një vendimmarrje të dhënë. Kjo është thelbësore për të ruajtur autoritetin institucional të Gjykatës dhe për të respektuar ndarjen e pushteteve”

Kryetarja e Kushtetueses vlerësoi gjithashtu rolin udhëzues të Komisionit të Venecias si një pikë referimi për standardet evropiane në fushën e të drejtës kushtetuese, duke rikonfirmuar angazhimin e Gjykatës Kushtetuese për të vijuar dhe forcuar këtë partneritet të rëndësishëm institucional.

“Koha e drejtësisë kushtetuese shqiptare si partnere e plotë evropiane ka ardhur”, përfundoi fjalën e saj kreu i Kushtetueses. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos