Pas lajmit në A2CNN se Xhamia e Plumbit në Vlorë qëndron e mbyllur, duke zhgënjyer vizitorët dhe turistët e huaj, ka ardhur reagimi i Myftinisë Vlorë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Myftinia Vlorë ka sqaruar opinionin publik mbi vonesat në realizimin e projektit për rikonstruksionin e Xhamisë së plumbit në Vlorë.
Po ashtu Myftinia Vlorë tregon se projekti i rikonstruksionit nuk është pezulluar, por po vijon me përgatitjet e nevojshme për fillimin e punimeve në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme.
Kjo pasi sipas tyre, gjatë fazës përgatitore të ndërhyrjeve restauruese, janë konstatuar nevoja shtesë për studime arkeologjike dhe konservuese, ‘me qëllim që ndërhyrja të kryhet në përputhje të plotë me standardet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe të ruhet integriteti historik e arkitektonik i monumentit.’
Deklaratë Informuese Zyrtare:
Lidhur me vonesën e rikonstruksionit të Xhamisë së Plumbit, Vlorë
Institucioni përgjegjës për zbatimin e projektit të rikonstruksionit të Xhamisë së Plumbit në Vlorë njofton opinionin publik dhe besimtarët se procesi i punimeve ka pësuar një vonesë, për shkaqe që lidhen me procedurat teknike dhe administrative të projektit.
Gjatë fazës përgatitore të ndërhyrjeve restauruese, janë konstatuar nevoja shtesë për studime arkeologjike dhe konservuese, me qëllim që ndërhyrja të kryhet në përputhje të plotë me standardet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe të ruhet integriteti historik e arkitektonik i monumentit.
Po ashtu, procesi është ndikuar nga rishikimi i buxhetit dhe miratimet institucionale, të cilat janë të domosdoshme për garantimin e cilësisë dhe transparencës së punimeve. Të gjitha këto hapa kërkojnë kohën e nevojshme ligjore dhe profesionale.
Theksojmë se projekti nuk është pezulluar, por po vijon me përgatitjet e nevojshme për fillimin e punimeve në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme.
Objektivi ynë mbetet përfundimi i rikonstruksionit brenda standardeve më të larta, në respekt të historisë dhe vlerës shpirtërore që Xhamia e Plumbit përfaqëson për qytetin e Vlorës dhe Shqipërisë.
Faleminderit për mirëkuptimin.
Vlorë, [20,10,2025]
Myftinia Vlorë (A2 Televizion)