“Ju që doni të takoni kriminelin Rama, nuk jeni shqiptarë”, thirrjet e protestuesve në Londër

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2024, 12:29 | Aktualitet

“Ju që rrini në radhë për të takuar kriminelin Rama, nuk jeni shqiptarë. Shqiptarët e vërtetë janë këtu që protestojnë kundër një narkoregjimi. Hajdeni këtu, bashkohuni me shqiptarët!” Janë disa nga thirrjet e shqiptarëve opozitarë ndaj qeverisë Rama në protestën e organizuar në Londër pak para takimit të kryeministri Edi Rama me diasporën, teksa u bëjnë thirrje edhe pjesëmarrësve në takimin me kreun e qeverisë që t’i bashkohen protestës.

Me pankarta në duar dhe nën masa të rrepta sigurie opozitarët po protestojnë para sallës ku pritet të mbahet takimi i kreut të qeverisë me shqiptarët.

“Poshtë Edi Rama! Rama ik! Hajduta! Rroftë Sali Berisha!” Janë disa nga thirrjet e tjera të protestuesve opozitarë në Londër.

Demokratët kundërshtojnë takimin e Ramës me diasporën në Londër, pasi sipas tyre ai është shkaktari i largimit të shqiptarëve nga vendi. Në një lidhje me Andi Nurajn, kreu i PD-së së Londrës, Shkëlzen Rustemaj, e cilësoi përndjekje dhe intimidim takimin e kryeministrit me bashkatdhetarët.

Kjo është hera e tretë që kryeministri Edi Rama është pritur me protesta gjatë takimeve me diasporën. E para ishte në SHBA, ndërsa për herë të fundit u prit me protesta në Selanik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos