Shqipëria hedh një hap tjetër drejt BE-së, drejt çeljes grupkapitulli 4 

Nga A2 CNN
11 Qershor 2025, 16:31 | Aktualitet

Shqipëria hedh një hap tjetër drejt BE-së, drejt

Shqipëria ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të BE-së ka autorizuar sot Presidencën e BE-së që t’i kërkojë zyrtarisht Shqipërisë paraqitjen e pozicionit të saj negociues për grupkapitullin 4, Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme.

Sakaq, Presidenca Polake i ka dërguar sot një letër zyrtare Qeverisë Shqiptare, duke hapur rrugën për përgatitjen e negociatave mbi katër kapituj kyç të kësaj grupings.

Qeveria bën me dije se pozicioni negociues i Shqipërisë do të prezantohet në Konferencën e gjashtë Ndërqeveritare, e cila pritet të mbahet së shpejti.

Grupkapitulli 4 përfshin katër kapituj të rëndësishëm që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit:

Kapitulli 14 – Politika e transportit: synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, si dhe rritjen e sigurisë në transport.

Kapitulli 15 – Energjia: përqendrohet në garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji.

Kapitulli 21 – Rrjetet trans-evropiane: fokusohet në ndërlidhjen infrastrukturore të Shqipërisë me vendet e BE-së dhe përfshirjen në Korridoret Evropiane.

Kapitulli 27 – Mjedisi dhe ndryshimet klimatike: përfshin angazhimin për mbrojtjen e mjedisit dhe përmbushjen e standardeve të larta të BE-së.

Përmes negociatave në këta kapituj, Shqipëria synon të ndërtojë rrugë më të sigurta dhe moderne, të forcojë ndërlidhjen me vendet e rajonit dhe BE-së, të garantojë energji të pastër dhe të përballueshme për qytetarët dhe të mbrojë mjedisin për brezat e ardhshëm.

Ky zhvillim përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve shqiptarë dhe konsolidon rrugën e reformave drejt anëtarësimit në familjen evropiane.

Vendimi i sotëm është gjithashtu një vlerësim i progresit konkret të Shqipërisë, përfshirë reformat ekonomike, forcimin e institucioneve dhe angazhimin e Ekipit Kombëtar të Negociatave. Ai tregon mbështetjen e BE-së për një proces zgjerimi të drejtë, transparent dhe të bazuar në rezultate të prekshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos