Rrëshqitjet e dherave bllokojnë rrugën në Currila, rrezik për banorët

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2026, 13:17 | Aktualitet

Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar rrëshqitje të konsiderueshme dherash në zonën e Currilave në Durrës, duke bllokuar një nga akset rrugore që lidh këtë zonë me pjesën tjetër të qytetit. Gazetarja e A2 CNN, Elitjona Doko, raportoi nga vendngjarja se përbërja me argjilë e kodrës e bën këtë zonë veçanërisht të rrezikuar sa herë ka reshje intensive.

Si pasojë e rrëshqitjeve, lëvizja është paralizuar për banorët dhe për institucionet që ndodhen në këtë zonë, përfshirë edhe një nga objektet e Universitetit të Durrësit. Menjëherë pas njoftimit nga qytetarët, në terren kanë mbërritur strukturat e Bashkisë së Durrësit me mjete dhe mekanizma për pastrimin e rrugës dhe zhbllokimin e qarkullimit.

Megjithatë, rreziku mbetet i pranishëm. Në zonë ndodhen ende katër ose pesë banesa, të cilat vijojnë të jenë të ekspozuara ndaj një rreziku të përhershëm, pa u marrë masa konkrete për zhvendosjen e tyre. Edhe pse në vitin 2014 u krye një investim për stabilizimin e kodrës, ai nuk i rezistoi as një sezoni shirash. Sipas specialistëve, për shkak të natyrës së terrenit, fenomeni është i vështirë të eliminohet dhe pritet të përsëritet sa herë ka reshje të forta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos