Gati një vit pasi u arrestua me urdhër të SPAK, gjatë operacionit “Metamorfoza”, prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, u shkarkua edhe nga detyra.
Vendimi ndaj prokurorit të pezulluar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pak ditë pasi u arrestua, si person që kishte mbajtur kontakte me personazhe të botës së krimit përmes aplikacionit SKYECC, u mor nga një treshe gjykuese e Shkallës së Parë të vetingut, shkruan A2 CNN.
Procesi i rivlerësimit kalimtar ndaj prokurorit Lita nuk u ndërpre pas izolimit të tij në paraburgim, por u kufizua vetëm me vlerësimin e figurës.
Sipas relatimit të bërë në seancën dëgjimore ku Lita nuk ishte prezent, por përfaqësohej nga avokati Arben Nela, fillimisht për të kishte mbërritur një raport pozitiv nga DSIK, duke e konsideruar të përshtatshëm. Por pas gushtit 2023 kur prokurori u arrestua, KPK kërkoi një përditësim nga DSIK, aktualisht AKSIK, Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar. Raporti i dytë nënvizonte kontakte të papërshtatshme të prokurorit, shkruan A2 CNN.
KPK ka relatuar edhe të dhënat e siguruara nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme, lidhur me çështjen penale ndaj Litës, i akuzuar për “korrupsion” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”.
Sipas SPAK, Lita ka marrë para në këmbim të ndarjes së informacioneve ndaj personave të përfshirë në krim të organizuar, si edhe i ka orientuar si të japin deklarime në polici. Fillimisht ai u dyshua edhe për “grup të strukturuar kriminal”, vepër penale që nuk u provua gjatë hetimit. (A2 Televizion)