“Kontroll nxënësve te dera”, policia bën planin e sigurisë, do mbyllen lokalet afër shkollave

Nga Xhensila Kodra
5 Shtator 2025, 16:12 | Aktualitet

Çdo nxënës që dyshohet se mund të mbajë me vete në shkollë sende të jashtëligjshme, do të kontrollohet që në portën hyrëse nga roja i shkollës dhe oficeri i sigurisë. Kjo është një ndër masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë e nxënësve.

Plani i masave do të nisë zbatimin nga dita e hënë, me nisjen e vitit të ri shkollor. Detajet e u bënë publike në një deklaratë për mediat nga drejtori i Rendit Publik, Agron Çeli.

“Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik dhe me oficerët e sigurisë në shkolla, për nxënësit që mund të mbajnë me vete sende të kundërligjshme dhe mbi bazën e tyre, zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës dhe oficerët e sigurisë, në prani të mësuesve dhe në mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë”, tha drejtori i rendit publik, Agron Çeli.

Një tjetër pikë e paketës së sigurisë është edhe zbatimi i perimetrit, sidomos për lokalet pranë shkollave.

“Në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, AKU-në dhe pushtetin vendor, do të punohet për mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë shërbejnë dhe si pika të grumbullimit të shtetasve me precedent kriminal, përdoruesve të pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike, si dhe burim rreziku për prishje të rendit publik apo veprime të tjera të dhunshme ndaj personelit mësimdhënës dhe nxënësve të shkollave”, shtoi ai.

Drejtuesit e policisë garantuan se që në nisje të procesit mësimor e deri në përfundim do të ketë shtim të efektivëve në shkollë për të garantuar nxënësit dhe prindërit e tyre. Ndërsa në ato shkolla që ndodhen pranë rrugëve kryesore, Policia Rrugore do të jetë në gatishmëri dhe do të kryhen kontrolle të vazhdueshme për drejtuesit e automjeteve që transportojnë nxënësit, duke përfshirë testet për alkool, kontrollin teknik të automjeteve dhe zbatimin e rregullave të transportit të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos