Kujdes nga këto simptoma, janë pasojë e tumoreve të zorrës së trashë

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2025, 16:40 | Aktualitet

Tumori i zorrës së trashë mund të evidentohet në stade të avancuara pasi simptomat nisin kur ndodh zmadhimi i tij. Gjakderdhja është simptoma më e dukshme, shoqëruar me rënien në peshë si dhe shfaqjen e anemisë. Prof. Dr. Arvin Dibra Shef i Klinikës 1 Kirurgjikale në QSUT i ftuar në studion e emisionit “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, u bëri apel qytetarëve që të kryejnë kontrolle të hershme nëse janë në grupet e riskut për shfaqjen e tumorit të zorrës së trashë pasi shfaqja e simptomave sjell një situatë alarmante.

“Simptomat e qarta duken kur tumori është malinjizuar dhe është zmadhuar. Ndërkohë ekziston mundësia që të ketë shenja, të cilat janë elemente që në faza fillestare mund të zgjojnë vëmendjen e dikujt, janë gjakrrjedhjet nga zorra e trashë, janë ndonjëfarë çrregullimi i tranzitit i defekimit. Por që kur fillon dhe instaurohet do të thotë që tumori ka filluar të marri një farë dimensioni për të bllokuar pjesërisht kalueshmërinë e zorrës së trashë. Rënia në peshë është një tjetër arsye, një lloj anemizimi kronik. ” – tregoi shefi i Klinikës 1 Kirurgjikale në QSUT, Prof. Dr. Arvin Dibra.

Tumoret e zorrës së trashë renditen për nga shpeshtësia në vendin e tretë në botë, e në disa shtete edhe të dytët. Shumë qytetarët preken nga kjo sëmundje si pasojë e e faktorëve të mjedisit si të mënyrës së të ushqyerit.

“ Përveç faktorëve të lidhur me ambjentin dhe ushqyerjen, kemi një prani të fortë të faktorit gjenetik. Tumoret e zorrës së trashë në masën më të madhe të tyre nuk lindin si tumore malinje, nuk lindin si kancera, por lindin si lezione polipoide, si tumore beninje të zorrës të cilat kanë gjithashtu një lloj familjariteti dhe për pasojë kjo është një tjetër arsye. Dieta e pasur me mish të kuq, me siguri është nëj nga këto arsye, dietat e varfra me frua dhe perime po ashtu janë arsye. Faktorët klasik të tipit alkooli, duhani duket që kanë një farë ndikimi ndonëse në masë më të vogël sesa te tumoret e tjera ” – tha mjkeu Prof. Dr. Arvin Dibra.

Emisioni “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti sjell në rubrikën “Impakt Shëndet” rrëfimin profesional dhe personal të mjekut Dr.Arvin Dibra. I arsimuar në Romë dhe më një entuziazëm të jashtëzakonshëm për kërkimin e metodave të reja të trajtimit në mjekësi, dr.Arvini nuk është thjesht një profesionist i mirë, por edhe një mik i mirë, një bashkëshort e një vëlla mbështetës. Dr.Arvin Dibra u surprizua nga familjarët dhe miqtë e tij më të afër në këtë puntatë, ku padyshim nuk munguan emocionet e bukura.

Emisioni Diagnozë, nga moderatorja dhe autorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tematika të ndryshme dhe mjaft të rëndësishme për shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekët më profesionistë që janë pjesë e emisioneve tona, për një shëndet më të mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos