“Mos vdeksh kurrë Fatos Nano”, Rama mban fjalën e lamtumirës, kujton këshillat dhe ironizon kundërshtarët

Nga Anesti Barjamemaj
2 Nëntor 2025, 18:46 | Aktualitet

Një barrë të rëndë për t’u mbajtur ishte për Edi Ramën fjalës e lamtumirës në ceremoninë mortore për ish-kryeministrin Fatos Nano. Mes kujtimeve personale dhe asaj që është parë mes tyre në publik, Edi Rama u mundua që më shumë të tregonte të padukshmen e marrëdhënies së tyre.

“Me Fatosin, ne ndamë, thyem dhe rindamë bukë, por historia e marrëdhënies sonë, zhvilluar mes ekstremesh nga “birësimi” im në familjen socialiste, me bekimin e tij, deri tek “vrasja e babait” për marrjen e skeptrit të tij nuk ka vend këtu në këtë eulogji. Ose jo, ka vend vetëm për një fakt, nëse jam unë sot zëdhënësi i hidhërimit të krejt familjes së madhe socialiste, kjo lidhet padyshim me intuitën dhe me guximin e kryetarit themelues për të më ftuar dhe dhënë vend në odën e shtëpisë sonë politike, duke thyer asokohe një mur të madh ndarës me shoqërinë e kohës, kur shtëpia e socialistëve nuk qe ajrosur ende plotësisht nga era e të shkuarës”, u shpreh Rama.

Teksa nuk e pa me vend thellimin në raportet që më shumë i kanë ndarë se bashkuar, i lejoi vetes të sulmonte kundërshtarët e tij politikë. 

Pavarësisht faktit se në traditën shqiptare në mort respektohet edhe armiku, kreu i qeverisë shigjetoi rivalët e tij që zgjodhën të tregonin vetëm anët pozitive të ish-kryeministrit, edhe pse të gjallë kanë pasur përplasje dhe akuza të ndërsjella me të.

“Por sa të paskan dashur e të paskan admiruar mor burrë i dheut!  Po edhe ata që s’të lanë shkop ndër rrota pa të vënë dhe gurë në kurriz pa të hedhur! Mezi ç’paskeshin pritur të ta tregonin dashurinë dhe adhurimin sapo ta merrnin vesh që nuk do ti hapësh më sytë. More deri te ata që të kallën në burg duke të akuzuar si vjedhës dhe që erdhën të të vrasin në zyrë duke të mallkuar si vrasës, e që t’i lëshuan mbi fytyrë për vite e vite të tëra me radhë, tërë të zezat e gjuhës shqipe, - veç ta shije si t’i kanë qëndisur aq bukur fjalët e admiratës së tyre! Plasja më vjen që s’jemi sot në një darkë që s’do kishte të paguar!”

Babain e tij politikë e quajti Edi Rama, Fatos Nanon, duke pranuar se kishte bërë edhe vrasjen, por sërish tregoi se gjithmonë për të vendosur pikat mbi “i” në vendime delikate kishte marrë edhe këshillat e tij, shkruan A2 CNN.

“Do të më mungojnë darkat e rralla miqësore, komunikimi ynë si mes shoferit të turnit të parë me shoferin e turnit të dytë për të njëjtën makinë, ku e kuptonim njeri-tjetrin në ajër dhe ku, kur ndodhte të ndanim ndonjë dilemë strategjike, këshillat e tua vinin të qëruara mirë, duke më ndihmuar shumë për të vënë pikën mbi “i”.

Në ditën e përcjelljes së Fatos Nanos, kreu i qeverisë dërgoi edhe një mesazh për akuzuesit e ish-kryeministrit lidhur me një foto mes tij dhe Sllobodan Millosheviçit.

“Ndër ata, që e nderuar kryetarin tonë me fjalë të mëdha pas vdekjes ishin dhe ata që e ngritën dhe e ulën “tradhtar” pse takoi Slobodan Millosheviccin gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në Selanik dhe për plot të tjera që nuk ia vlejnë t’i kujtojmë. Unë e kam dëgjuar prej tij bisedën me “kasapin e Beogradit” dhe nuk e kam idenë nëse Fatosi e ka lënë të shkruar diku, por, jo vetëm që në atë takim dhe në atë bisedë, nuk ka asgjë prej tradhtari, por kur një ditë të dalin si duhet në dritë fjalët e thëna në atë takim, si dhe në takimet, bisedat dhe bashkëpunimet e Fatos Nanos me patriotët e lëvizjes kombëtare për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni, atëherë askush, dot askush, nuk do të mund të vërë në dyshim se kontributi patriotik i kryetarit themelues të partisë sonë për çlirimin e Kosovës dhe për nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit e rendit Fatos Nanon në rreshtat e nderit të historisë së Shqipërisë.

E për të treguar se figura e Fatos Nanos do t’i mungoi gjatë, Edi Rama e pati të vështirë për t’i thënë lamtumirë

“Mos vdeksh kurrë Fatos Nano”.

Fatos Nano u kujtua si njeriu që ndërton ura dhe nuk njeh hakmarrje, ndërsa fjalimi i Kryeministrit Edi Rama i shërbeu thirrjes në kujtesë të konflikteve të forta politike në vitet e brishta të demokracisë shqiptare.

Ndërsa fotografia e tij në Tiranë në ceremoninë e lamtumirës ishte ndoshta  përpjekja e tij e fundit për të dëshmuar pajtim të liderëve politikë të së majtës në trojet shqiptare, të tij me Albin Kurtin dhe Kurtit me Ali Ahmetin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos