Turistë elitarë amerikanë të fokusuar në trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Mesdheut kanë ndaluar mëngjesin e kësaj të mërkure në portin e Durrësit, me kroçerën e tyre “National Geographic Orion” duke zgjedhur për herë të parë qytetin port më të madh të vendit tonë.
Kapiteni i portit të Durrësit është ngjitur në bordin e kroçerës duke i uruar personalisht ekuipazhit mirëseardhjen.
Edhe kapiteni i kroçerës u shpreh i impresionuar nga pritja dhe shpreson që të rikthehet sërish jo vetëm në Shqipëri por edhe në Durrës. Krocera “National Geographic Orion” është e pajisur me kabina luksoze, ambiente rekreative, laboratorë natyre dhe mjete ekspedite si kajakë, zodiakë e kamera nënujorë.
Përfshirja e Shqipërisë në këtë itinerar është një sinjal pozitiv për të ardhmen e turizmit detar elitar dhe për vendosjen e vendit në hartën e destinacioneve kulturore dhe natyrore më të kërkuara të Mesdheut. (A2 Televizion)