Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka marrë pjesë në tryezën e punës me temë, “Platformat Digjitale dhe Qeverisja e Mediave Online në Shqipëri”, organizuar në Tiranë nga UNESCO. Me falenderimet për iniciativat e UNESCO-s, që po udhëheq një debat global mbi qeverisjen e Platformave Digjitale, kryetarja e AMA-s ka ndarë në këtë tryezë potencialin e Autoritetit për të udhëhequr procesin midis rregullimit tradicional të transmetimeve dhe sfidave të reja që lindin në mjediset digjitale audiovizive, si dhe aftësinë e AMA-s për të kontribuar me ekspertizë, njohuri institucionale dhe përvojë rregullatore në zhvillimin e kuadrove ligjor në fushën audio dhe audiovizive.
“Sot, të gjithë ne, rregullatorë, media dhe publik gjendemi përballë një realiteti mediatik që ndryshon në mënyrë të vazhdueshme e ku ndikimi i Platformave Digjitale sjell sfida të reja për integritetin e informacionit, lirinë e shprehjes, por edhe për vetë mbikëqyrjen, vetërregullimin apo bashkërregullimin e këtij realiteti”, ka thënë Krasniqi. “Tanimë hapat janë hedhur: Ne kemi Aktin e Shërbimeve Digjitale dhe Aktin Europian për Lirinë e Medias që vendosin standarde të reja, mbi qasjet kombëtare në administrimin e Platformave Digjitale. Këto Akte të rëndësishme na ndihmojnë ne, jo vetëm në rregullim, por edhe në përafrimin me standardet europiane dhe rikonfirmimin e angazhimin tonë ndaj pluralizmit dhe pavarësisë mediatike”.
AMA ndërkaq, në fund të vitit të kaluar, pas porcesit të konsultimit miratoi rregulloren, “Për kërkesat e posaçme që ofruesit e Platformave të Shpërndarjes së Videove duhet të përmbushin për krijimin e ofrimin e sistemeve transparente, efektive e miqësore në përdorim”. Kjo Rregullore trajton në mënyrë të posaçme rregullimin ligjor të Platformave të Shpërndarjes së Videove dhe synon gjithashtu të rregullojë kushtet e përgjithshme të ofrimit të përmbajtjeve audiovizive nga përdoruesit në këto platforma. Rregullorja nuk prek shërbimet mbështetëse të transmetimeve audiovizive, me qëllim kryesor ofrimin e programeve për informim, argëtim ose edukim.
“Ky hap i parë i hartimit, konsultimit dhe miratimit të këtij akti të rëndësishëm nënligjor shpreh angazhimin dhe gatishmërinë tonë për të rregulluar format e reja të shpërndarjes së përmbajtjes. Ky proces përafrimi jo vetëm që rrit standardet e rregullimit brenda vendit, por edhe ndihmon në integrimin e tregut mediatik shqiptar në hapësirën europiane”, ka shtuar Krasniqi.
Ndryshimet konkrete në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, përveç platformave të Shpërndarjes së Videove kanë përfshirë edhe aspekte të tjera të rëndësishme të rregullimit siç janë, koncepti i bashkërregullimit dhe vetërregullimin në përgatitjen e kodeve të sjelljes; Edukimin Mediatik dhe Transparencën e Pronësisë së Medias.
Iniciativa e UNESCO-s për Qeverisjen e Platformave Digjitale, u konkretizua vitin e kaluar në Kroaci me miratimin e Rrjetit Global të Rrjeteve, ku Krasniqi mori pjesë, si kryetare e rrjetit MNRA. Në vijim të këtij forumi global, dhe pas publikimit të Udhëzimeve që synojnë mbrojtjen e së drejtës së lirisë së shprehjes, qasjen në informacion, si dhe të drejtat e tjera të njeriut në qeverisjen e Platformave Digjitale, sot në Tiranë u prezantuan edhe gjetjet e studimit rajonal për Shqipërinë, me këtë temë, i cili fokusohet në gjendjen aktuale të kuadrit rregullator ekzistues që rregullon platformat e rrjeteve sociale dhe mediat online, si dhe sfidat kryesore për moderimin dhe përzgjedhjen e informacionit të verifikuar me interes publik në rrjetet sociale.
Objekt i këtij studimi kanë qenë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia. (A2 Televizion)