Vijon rrokada në Policinë e Shtetit. Pas shkarkimeve dhe dorëheqjeve të fundit në disa drejtori qarku, priten ndryshime të tjera të rëndësishme në radhët e drejtuesve të lartë. Pas shkarkimit të drejtorit të Policisë së Korçës, Erion Ahmeti, dhe dorëheqjes së drejtorit të Policisë së Elbasanit, Fatmir Hoxha, Ilir Proda pritet të ndërmarrë një tjetër valë ndryshimesh në qarqe.
Gara është hapur edhe për postin e drejtorit të Policisë së Shkodrës, ku aktualisht detyrën e ushtron me komandim Gentian Berberi, i cili pritet të kandidojë dhe burime bëjnë me dije se do të konfirmohet në këtë pozicion.
Ndryshime priten edhe në Lezhë, Berat dhe Dibër, ndërsa në qarkun më të rëndësishëm, atë të Tiranës, mund të ketë lëvizje në drejtimin aktual, që mbahet nga Elton Alushi. Kandidati më potencial për të drejtuar Policinë e Tiranës është kreu aktual i Policisë së Durrësit, Vilson Bala, por nuk përjashtohen as emrat surprizë. Burime brenda Policisë bëjnë me dije se pothuajse në të gjitha qarqet do të ketë emra të rinj drejtuesish, ndërsa një pjesë e tyre pritet të transferohen nga një qark në tjetrin. Në listën e emrave të rinj që mund të promovohen në poste të rëndësishme përmendet edhe Uljan Shpataraku.
Paralelisht kanë nisur aplikimet për drejtues departamentesh në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Konkretisht, është hapur gara për drejtimin e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, si dhe atij të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Megjithatë, mbetet ende e pahapur gara për Departamentin e Policisë Kriminale, që aktualisht drejtohet nga Neritan Nallbati. Ligji për Policinë e Shtetit, i miratuar një vit më parë, përcakton qartë se të gjitha këto pozicione duhet të jenë të hapura për konkurrim. Burime pranë Policisë bëjnë me dije se procesi i riorganizimit pritet të zgjasë disa javë, me synimin për të forcuar drejtimin dhe për të përfshirë figura të reja në nivelet drejtuese të strukturës. (A2 Televizion)
