Protesta e opozitës u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, veçanërisht në zonën pranë Parlamentit. Gazetar i A2 CNN Anesti Bajramemaj i pranishëm në terren e cilësoi protestën të vështirë, duke theksuar se është përdorur sasi e madhe gazi lotsjellës, që sipas tij ishte i panevojshëm.
“Qamë të gjithë për shkak të gazit lotsjellës. U hodh më shumë se herët e tjera dhe vijoi edhe kur në shesh ndodheshin vetëm mediat. Forcat e rendit kanë vijuar me hedhjen e gazit lotsjellës edhe kur shin vetëm mediat. Ka qenë e panevojshme. Pati situatë gati tragjike. Molotovët shpërthyen mes qytetarëve. Nuk e dimë shkakun, ishte situatë kaotike u hodh gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat por, gazit lotsjellës vijoi të hidhej edhe kur sheshi ishte boshatisur. Te kryeministria dukej e vetëpërmbajtur hidhej vetëm ujë qytetarët nuk tentonin të përplaseshin para kryeministrisë”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.
Në Dita Jonë në A2 CNN, ai tha se situata u përkeqësua në mbrëmje, rreth orës 20:00, kur protestuesit u rikthyen dhe nisën përplasjet. Ai përmendi një rast ku një i ri u tërhoq zvarrë dhe “u hodh si thes me patate” nga njëra anë e kangjellave në tjetrën, ndërsa theksoi se shumica e të shoqëruarve në komisariat ishin të mitur.
“Te parlamenti situata degradoi. Në orën 20 u rikthyen protestuesit, nisi përplasja. Kur ne menduam se do të ishte vetëm përplasje, aty nisën molotovë e gaz lotsjellës. Nisi edhe reagimi dhe dhuna policore ku pamë qytetarët të tërhiqeshin zvarrë për t’u futur në furgonët e policisë. Nuk e kemi kuptuar ende se përse disa forca policore të merrnin një të ri zvarrë në atë mënyrë duke e hedhur si thes me patate nga njëra anë e kangjellave në tjetrën dhe pastaj ta përplasnin në komisariatin e policisë. Një pjesë e madhe e atyre që ishin shoqëruar ishin të moshës 16-17 vjeç. Nga 7 të shoqëruar vetëm një ishte 19 vjeç. Njërit nga të rinjve ishte grisur edhe xhupi. Sipas demokratëve nuk kanë kryer asnjë akt dhune, por policia e ministria flasin për mbi 20 efektivë të lënduar”, tha gazetari në Dita Jonë në A2 CNN .
Sipas tij, një pjesë e të shoqëruarve ishin të mitur, 16-17 vjeç, ndërsa demokratët pretendojnë se ata nuk kanë kryer akte dhune. Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme njoftoi se mbi 20 efektivë policie kanë mbetur të lënduar, disa prej tyre rëndë. Për të lënduarit nga radhët e qytetarëve nuk është dhënë informacion zyrtar.
(A2 Televizion)