Nikoll Radaçi, shoferi i dehur që përplasi për vdekje dy fëmijë në Durrës, njihej si personazh problematik në lidhje me shkeljen e normave të Qarkullimit Rrugor.
Gazetari Igli Çelemeta në një raportim për emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN tha se drejtuesi i mjetit lëvizte vazhdimisht me shpejtësi në lagjen ku ndodhi aksidenti tragjik.
Ndonëse banorët e zonës kishin njoftuar autoritetet, kohët e fundit nuk kishte pasur reagim. Ndërkohë në të shkuarën 57-vjeçari ishte ndëshkuar për disa shkelje.
“Ishte një personazh problematik për Policinë Rrugore pasi edhe më para kishte shkaktuar probleme në të njëjtën lagje ku ndodhi aksidenti tragjik, duke lëvizur me shpejtësi dhe autoritetet janë njoftuar disa herë nga banorët e zonës, por s’ka pasur reagim. Madje disa kohë më parë 57-vjeçari kishte pësuar edhe një aksident vet dhe nuk dihet ende nëse policia nisi hetim për këtë aksident, dhe a iu hoq patenta”, raporton gazetari.
“Policia e Durrësit sot njoftoi se 57-vjeçari Nikoll Radaçi është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të Qarkullimit Rrugor, për parakalim të gabuar në 2020-ën, dhe për tejkalim të shpejtësisë dy herë, në vitin 2022. Personazhi ishte problematik sidomos në lagjen nr.15. Autori i aksidentit tragjik dyshohet se ka lëvizur mbi 85 km/ orë, kur tabela thotë 30 km/orë”, vijon raportimi. (A2 Televizion)