Mbyllet dega e naftës në Fier, nxënësit preferojnë shërbim mjetesh, elektroteknik dhe mekanikë

Nga Çaku Tafa dhe Gazmend Janku
13 Tetor 2025, 15:35 | Aktualitet

Mbyllet dega e naftës në Fier, nxënësit preferojnë

Situata e krijuar së fundmi në kompaninë “Bankers Petroleum” dhe grevat e punonjësve kanë zbehur për këtë vit të ri shkollor 2025–2026 interesin e nxënësve të arsimit profesional në Fier për degën e naftës, duke bërë që pas shtatë vitesh fluksi, ajo të mos hapet për mungesë numrash.

Sipas drejtoreshës së shkollës së mesme profesionale “Petro Sota”, Arta Leka, gjatë vitit të kaluar nxënësit që përfunduan këtë degë u punësuan në kompanitë e naftës “Bankers”, “Albpetrol” dhe kompani të tjera private, por këtë vit situata ka ndryshuar.

Ndërkohë, sipas saj, interesi për arsimin profesional në Fier sa vjen e shtohet. Degët më të preferuara mbeten shërbim mjetesh transporti, TIK, elektroteknikë, termohidraulikë dhe mekanikë, shkruan A2 CNN.

Vetë nxënësit thonë se i kanë zgjedhur me dëshirë degët që frekuentojnë, pasi i shohin si një mundësi të mirë për një të ardhme të sigurt në tregun e punës, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Kjo shkollë numëron 710 nxënës, nga 640 të regjistruar një vit më parë, kryesisht nga Fieri, Patosi, Roskoveci dhe Mallakastra. Për zhvillimin e orëve praktike, shkolla profesionale bashkëpunon me dhjetëra biznese në qarkun e Fierit, të cilat kanë bërë të mundur, vetëm gjatë vitit të kaluar, punësimin e 80% të të diplomuarve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos