Ulet çmimi i naftës nën 200 lekë për litër

Nga A2 CNN
18 Prill 2026, 08:57 | Ekonomi

Ulet çmimi i naftës nën 200 lekë për litër

Me hapjen e Ngushticës së Hormuzit, rënia e çmimit të naftës po reflektohet edhe në vendin tonë. Bordi i Transparencës vendosi në mbledhjen e sotme që çmimi i gazoilit do të shitet me pakicë deri në 197 lekë/litër dhe me shumicë deri në 185 lekë/litër.

Ndërsa benzina do të shitet me pakicë deri në 172 lekë/litër dhe me shumicë deri në 160 lekë/litër.

Çmimet hynë në fuqi sot në orën 10:30 dhe do të mbeten në fuqi deri në një vendim të ri. Autoritetet paralajmërojnë se çdo shkelje nga operatorët do të ndëshkohet me pezullim aktiviteti.

 

Bordi i Transparencës në datë 18 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 197 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 185 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN  të  jetë jo më shumë se 172 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 160 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 18 ora  10.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë  janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë per llogaritjen e cmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos