“Gjykata nuk u ngrit nga lartësinë e duhur, në lartësinë që kërkon shteti i së drejtës, që të merrte një vendim ndryshe nga ai i Shkallës së Parë”. Kështu u shpreh avokati i ish-presidentit pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e ka në burg Ilir Meta. Në një deklaratë për mediat, Kujtim Cakrani tha se nuk kërkoi një masë specifike, por shpjegoi se gjykata kishte mundësi të linte 6-7 masa të tjera për Ilir Metën përveç asaj të arrestit me burg.
“Unë kam kërkuar ashtu sikurse Gjykata e Shkallës së Parë, e kam lënë në vlerësimin e gjykatës që të jepte çdo masë tjetër, ato që parashikohen në Kushtetuese. Janë 6-7 masa të tjera përveç asaj të arrestit me burg. Ku gjykatat të merrte një vendim të tillë. Për të qenë korrekt me gjykatën, për të mos pasur një masë specifike të jepte një masë të arsyeshme qoftë edhe ajo e arrestit në shtëpi”.
Cakrani theksoi se gjykata është e bindur nga dikush tjetër, teksa i ka përmendur edhe disa vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që janë në dëm të shtetit shqiptar dhe vetë drejtësisë.
“Unë nuk e binda gjykatën, atë e ka bindur dikush tjetër. Unë fola si avokat, bëra detyrën time. I solla mbi 10 vendime të GJEDNJ dhe i thashë që nuk janë për shtetin shqiptar por për ju dhe prokurorinë. Që të mos e përdorin në kushtet e një represioni. Pavarësia të prevalojë mbi çdo gjë tjetër, gjykata të dëgjon dhe e ka të vendosur atë që kur hyn në sallë”.
I pyetur në lidhje me kontrollet në paraburgimin ku ndodhet Ilir Meta, avokati i tij tha se presidenti i PL-së nuk mposhtet pavarësisht intimidimeve dhe presioneve.
“Meta ka prej ditësh në një presion ku komisioni i disiplinës në paraburgimin Jordan Misja e ka privuar nga disa aktivitete. Zoti Meta është aty do të përballet me komisionin e të gjithë. Meta është një individ që nuk mposhtet kollaj, këtë duhet ta dinë të gjithë nëse përdorin mjetet e persekutimit për të intimiduar dhe për të bërë zotin Meta të dalë nga vetja e kanë gabim. Meta do përballet me të gjithë këta. Çështja McGonigal, Yuri Kim e Soros, do të marrë fund kjo histori”, tha avokati.
(A2 Televizion)