Ministri i Drejtësisë: Dje ishte sulm i organizuar kriminal, e ndoqa me ankth për policët

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2026, 07:38 | Aktualitet

Ministri i Drejtësisë: Dje ishte sulm i organizuar kriminal, e ndoqa

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, reagoi përmes një videoje në rrjetet sociale për protestën e djeshme, duke e cilësuar atë si një “sulm të organizuar kriminal” ndaj Policisë së Shtetit.

Lamallari shprehu mirënjohje për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe solidaritet me familjarët e të lënduarve, duke theksuar se ata u përballën me akte kriminale gjatë protestës.

Në reagimin e tij ministri flet për shkelje të së drejtës për tubim, si përgjigje për qytetarët që kanë kritikuar përdorimin e forcës nga policia e shtetit, ku pamjet treguan të mitur dhe qytetarë të zakonshëm që u shoqëruan me forcë nga efektivët, disa prej tyre të tërhequr zvarrë para kamerave.

“Mirënjohje për punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët për fat të keq, krahas mundimit të përditshëm për të ofruar më shumë siguri për qytetarët, u duhet të përballen me vetëpërmbajtje duke rrezikuar dhe jetën nga akte të tilla kriminale, të cilat janë një shkelje flagrante dhe e dënueshme e të drejtës legjitime për tubim paqësor! Solidaritet me familjarët e punonjësve të lënduar dhe të gjithë ata të cilët kanë ndjekur me ankth përmes medias se si prindërit, bijtë, bashkëshortët dhe vëllezërit e tyre rrezikuan jetën nga një sulm i nxitur dhe i organizuar kriminal”, shkruhet krah videos.

Deklarata e ministrit ka nxitur reagime, pasi kritikët e shohin atë si një përpjekje për ta paraqitur protestën vetëm në prizmin e dhunës ndaj policisë, duke anashkaluar çdo dyshim për tejkalim kompetencash nga efektivët në terren, apo për mënyrën se si u kryen shoqërimet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos