
Banorë të lagjes nr. 7 dhe 8 që preken nga shpronësimet që do të bëhen në kuadër të projektit infrastrukturor "Lidhja e Currilave me rrugën Aleksandër Goga", kanë protestuar sot para Bashkisë së Durrësit.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, një nga pikat e rendit të ditës lidhej me shpronësimet e shtëpive të këtyre banorëve, të cilat do të shemben për t’i hapur rrugë ndërtimit të unazës.
Banorët deklarojnë se nuk janë vënë në dijeni më përpara lidhur me prishjen e shtëpive dhe kundërshtojnë vlerën e shpronësimit, sepse, sipas tyre, është e pamundur që me këtë vlerë të blejnë një shtëpi. Banorët kërkojnë nga bashkia që t’u sigurojë më përpara një shtëpi, shkruan A2.
Sipas bashkisë, është miratuar në parim vlera financiare e shpronësimit prej 867.776.164 lekë, për pasuritë pronë private, që preken nga ky investim publik. Janë evidentuar 131 pronarë (privatë dhe shtet) për të cilët është caktuar vlera e shpronësimit. (A2 Televizion)