Mosha e fëmijëve që raportojnë incidente online ka ardhur duke u ulur. Vitin e kaluar kemi patur nga fëmijë të moshës 5-7 vjeç. Këto të dhëna shqetësuese u bënë të ditur në Dita Jonë në A2 CNN, nga Drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), Altin Hazizaj, sipas të cilit kjo nuk ka ndodhur kurrë më përpara në historinë e shërbimit.
Hazizaj thekson se janë pajisjet celulare ato që nxisin fëmijët për të eksploruar veten dhe për ta qarkulluar në rrjet.
“Kjo do të thotë që pajisjet celulare gjithmonë i nxisin fëmijët për shkak të kuriozitetit të shkojë në internet për të gjetur informacionin nëse prindi nuk ia ka dhënë. Prandaj rekomandohet që fëmijëve të vegjël nëse u jepet një celular nuk duhet ta kenë 24 orë se mund të ketë dëshirë të eksplorojë veten dhe ta xhirojë me kamera dhe mund t’ia kalojë dikujt tjetër e të qarkullojë”.
Ai u bë apel prindërve që të mos u lënë 24 orë fëmijëve celular, ose në të kundërt të instalojnë programe që i monitorojnë.
“Kjo është shumë e rëndësishme të kuptojmë që fëmijët nuk duhet të jenë 24 orë të lidhur me celular, prandaj prindi të ketë të instaluar programe që monitorojnë se çfarë bën fëmija online. Nuk është shkelje e privatësisë për të mbrojtur fëmijën”.
Në A2 CNN ekspertët ndanë mendimin se prindërit edhe institucionet arsimore duhet të flasin hapur me fëmijët për aspektet seksuale, përmes kurrikulave të dedikuara.
“Përpos faktit që fëmijëve që në moshë të hershme duhet tu shpjegohet çështja e pjesëve intime. Nuk janë pjesë që mund të luajnë me ty. Ajo që ka rëndësi është që fëmija të kuptojë që ka disa kufi. Në Shqipëri ne i kemi marrë përmes ndjesisë së turpit dhe kjo është e gabuar. Nuk është tabu t’i mësosh fëmijës aspekte të jetës seksuale, është gjithnjë më i mbrojtur. Fëmija nuk ka aftësi për të mbrojtur veten. Sa e përgatitur është trupa mësimore? Të gjithë profesionistët për të folur e diskutuar kaq lirshëm, për t’iu folur fëmijëve për aspektet seksuale. Kemi të dhëna që nuk janë pozitive. Mësuesja i ndan më vete djemtë e më vete vajzat. Ky quhet edukim i fshehtë. Dhe kur ndodh dhuna seksuale një fëmijë që është mësuar me fjalën turp nuk tregon e mban sekret. Krimet seksuale shkatërrojnë jetën e kujtdo”.
(A2 Televizion)