
Forca Ajrore e Shqipërisë ka ndërhyrë me sukses në një operacion shpëtimi në zonën malore të Currajt të Epërm, duke transportuar me urgjencë një shtetas nga Kosova i cili ishte pickuar nga një gjarpër helmues i llojit nepërkë.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, rreth orës 14:30, në një terren tepër të vështirë, në shtegun midis Currajt të Poshtëm dhe Currajt të Epërm, rreth 1 kilometër larg nga Rrasa e Çurrajve.
Pas marrjes së sinjalizimit nga ekipi i kërkim–shpëtimit të Kosovës, Forca Ajrore iu bashkua autoriteteve vendore dhe realizoi transportimin ajror të të lënduarit drejt spitalit të Bajram Currit. Falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve, shtetasi nga Kosova ndodhet tashmë në gjendje të stabilizuar. (A2 Televizion)
