Pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, figurat kryesore të politikës shqiptare e kanë përkujtuar atë me vlerësime të larta, duke e cilësuar si lider liberal, reformator dhe arkitekt të transformimit të së majtës moderne. Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe drejtues të tjerë të Partisë Socialiste shprehën ngushëllimet dhe respektin për kontributin e tij në tranzicionin demokratik të Shqipërisë.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për vdekjen e Fatos Nanos. Me anë të një postimi në mediat sociale, kreu i shtetit shkruan se Nano do të mbahet mend si lider liberal dhe transformator.
“Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit socialist dhe të tranzicionit të Shqipërisë në vitet ‘90 dhe 2000. Fatos Nano do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator. Ngushëllimet i shkojnë familjes, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë të tij”.
Kryeministri Edi Rama, i cili mban postin e lënë prej Nanos edhe në Partinë Socialiste është mjaftuar vetëm me një foto dhe me dy fjalë, ku shkruan: Lamtumirë Kryetar.
Niko Peleshi e kujton me një shkrim të gjatë ish-kryeministrin, ku zbulon se Nano ka qenë ai që e ka futur edhe në politikë.
Sipas kreut të Kuvendit, Fatos Nano është arkitekti i transformimit historik dhe ai i cili e ngriti të majtën e re mbi themelet e shëndosha të socialdemokracisë europiane.
“Figura e Fatos Nanos tejkalon çdo përvojë personale. Për politikën shqiptare, ai mbetet politikani modern që solli frymën e vërtetë europiane në mjedisin tonë publik. Ishte intelektuali që dinte të fliste gjuhën e ideve, liberali që besonte te liria individuale dhe zhvillimi ekonomik, europianisti i bindur që e shihte të ardhmen e Shqipërisë vetëm në familjen e madhe europiane. Në një kohë kur shumë ende mendonin me mendësitë e së shkuarës, ai fliste për të ardhmen”.
Nga radhët e Partisë Socialiste të shumta kanë qenë reagimet, ku deputetët me anë të fotove të Fatos Nanos kujtojnë edhe takimet apo bisedat me të në kohën kur ishte drejtues i selisë rozë.
(A2 Televizion)
