“Shqipëria Bëhet” dhe mbështetës të saj protestuan për rreth dy orë para kryeministrisë me kërkesa kryesore: dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe qeveri tranzitore 12 mujore. Kjo qeveri sipas Adriatik Lapajt duhet të përbëhet nga figura të njohura që kanë kontribut në Shqipëri, por që nuk janë të përfshirë në politikë.
Protesta u shoqërua me tensione mes policisë dhe protestuesve, pasi Lapaj fillimisht u përplas me disa efektive të veshur civilë, dhe që sipas tij po identifikonin dhe fotografonin njerëzit që merrnin pjesë në protestë.
Përmes këtyre protestave që do të vijojnë tashmë edhe me ngritjen e çadrave para kryeministrisë, kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, deklaroi se nuk pret reflektim nga kryeministri Edi Rama, por synon ndërgjegjësimin e qytetarëve përmes protestës si formë rezistence deri në realizimin e së drejtës.
Në një deklaratë për A2 CNN me gazetaren Fjorela Beleshi, Lapaj tha se protesta duhet të vazhdojë me dinjitet, duke kritikuar autoritetet për moslejimin e ngritjes së çadrave dhe duke e cilësuar këtë si mungesë njerëzillëku. (A2 Televizion)