Murtaja e bagëtive të imta, ministrja Denaj mbledh grupin teknik për marrjen e masave

Nga A2 CNN
20 Qershor 2025, 16:34 | Aktualitet

Murtaja e bagëtive të imta, ministrja Denaj mbledh grupin teknik

Nën drejtimin e ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), Anila Denaj, u zhvillua sot mbledhja e grupit teknik për koordinimin e hapave dhe marrjen e masave të menjëhershme me qëllim ndalimin e përhapjes së sëmundjes së murtajes së ruminantëve të vegjël (PPR) në Shqipëri.

Në takim u theksua rëndësia kritike e marrjes së masave të shpejta dhe të koordinuara për të frenuar përhapjen e këtij infeksioni, i cili përbën një rrezik të madh për tufat dhe ekonominë blegtorale të vendit.

MBZHR u bën thirrje fermerëve për veprime të përgjegjshme dhe të mos rrezikojnë tufën e tyre dhe të zbatojnë me përpikëri masat e vendosura, shkruan A2 CNN.

Gjithashtu thekson MBZHR tregtarët të mos rrezikojnë ekonominë blegtorale të vendit dhe të respektojnë ndalimin e përkohshëm të qarkullimit dhe tregtimit të kafshëve.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues dhe drejtues të institucioneve kyçe në mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurinë veterinare në vend.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u bën thirrje qytetarëve, fermerëve dhe operatorëve të tregjeve të kafshëve që të respektojnë me përpikëri legjislacionin në fuqi.

Në rast shkeljesh, autoritetet do të ndërmarrin masa ligjore, përfshirë ndjekjen penale ndaj individëve apo subjekteve që cenojnë shëndetin publik veterinar, ashtu si në rastet e evidentuara deri më tani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos