Muzhaqi: Irani nuk godet në Shqipëri, për dy arsye

Nga A2 CNN
3 Mars 2026, 15:14 | Aktualitet

Gjasat që Irani të sulmojë në Shqipëri janë shumë të ulëta. Kështu tha në një intervistë për emisionin “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN, eksperti Ergys Muzhaqi. Të hënën pati raportime mbi një sulm të mundshëm ndaj kampit të MEK në Manzë, si dhe zhvillimet e fundit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Ai theksoi se Irani aktualisht ndodhet në një situatë të vështirë për shkak të përplasjes me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ndërsa prioritetet e tij ushtarake mbeten në rajonin përreth.

“Gjasat për një përplasje të kësaj natyre nga ana e Iranit do të ishin të vogla. Në këtë rast, Irani është në një situatë jo fort të favorshme në momentin që po flasim. Ai për shkak të përplasjes luftarake që ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Izraelin ka reaguar duke sulmuar Izraelin dhe duke sulmuar një mori të vendeve fqinje nga bota arabo-sunite, shkaku ka qenë që aty ka baza amerikane”, tha ai.

“Pra ata janë në një farë mënyre bashkëpunëtorë të Amerikës edhe të Izraelit. Gjasat janë shumë të pakta që ai, në një vend kaq të largët si Shqipëria, të ketë mundësi të bëjë një goditje çfarëdo aq më tepër një goditje të percizioni të lartë. Pra, që të godasë pikërisht kampin”, shtoi Muzhaqi.

Gjithashtu, një tjetër aspekt që e bën pak të mundur sulmin në Shqipëri është fakti që vendi ynë është anëtar i NATO-s. “Pra, në qoftë se deri tani ka një përplasje luftarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin, duhet të kemi parasysh që është Izraeli, le të themi, organizatori zyrtar i sulmeve dhe Irani nuk e ka përplasjen e tij me NATO-n në tërësinë e saj territoriale, gjeografike. Në momentin që do bënte një sulm të tillë ndaj Shqipërisë do kishte një sulm të drejtpërdrejtë të tërësisë gjeografike të një vendi anëtar të NATO-s dhe kundërpërgjigja do të ishte e vendeve anëtare të NATO-s”, tha Muzhaqi.

Megjithatë, ai pranoi se retorika zyrtare iraniane ndaj Shqipërisë ka qenë e ashpër, veçanërisht pas strehimit të anëtarëve të MEK-ut. Sipas tij, kjo kërkon vigjilencë të shtuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos