“NATO po shkërmoqet, do mbetemi pa çati mbi kokë”, diplomati ngre alarmin: Në Europë do ketë struktura sigurie...

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2025, 22:01 | Aktualitet

Diplomati Roland Bimo thotë se Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë më ngushtë me njëra-tjetrën, duke lënë mënjanë dasitë e udhëheqësve të vendeve respektive, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë.

Sipas tij, edhe pse Në Kosovë siguria garantohet nga KFOR dhe SHBA, situata mund të ndryshojë. “Pa le se çfarë po ndodh në NATO, pa le se si po shkërmoqet NATO, që është një problem më vete të cilin duhet ta atakojmë që sot që të mos ndodhemi mbas pesë-gjashtë vjetësh kur NATO të mos ekzistojë, të mos të ngelemi pa çati, pa tavan mbi kokë. Domethënë të jemi në gjendje që të orientohemi se si do garantohet siguria në atë vend kur të mos ekzistojë NATO”, tha Bimo në “Off the Record” në A2 CNN.

“Kjo që po them unë, të mos ekzistojë NATO, nuk është nuk është shpikja ime. Po të shikosh se çfarë thotë zoti Trump për NATO-n, e çfarë thonë nga Amerika për NATO-n, është një çështje që europianët do duhet të mbrojnë Europën. Pra ka shumë të ngjarë që brenda katër-pesë vitesh, siguria në Europë do të jetë e një karakteri më kontinental”.

“Nuk po mundohem të them se çfarë duhet bërë, por po mundohem të potencoj domosdoshmërinë e një dialogu, një debati për këto probleme që duhet bërë bashkë Kosovë-Shqipëri. Dhe ne nuk e kemi fare luksin për kapriçot e njërit apo tjetrit, qoftë ky me emrin Albin Kurti, apo qoftë ky me emrin Edi Rama, që populli shqiptar të mos ketë një ë një bashkëpunim. Populli shqiptar ka shumë nevojë që liderat e tij të mblidhen herë pas here dhe ne t'i shikojmë se si bisedojmë me njëri-tjetrin, se si shkëmbejnë mendime me njëri-tjetrin dhe si shkëmbejnë informacion. Është tjetër gjë të kemi amerikanët ndërmjetës dhe të kemi europianët ndërmjetës për çështjet tona dhe tjetër gjë kur bashkëpunojmë me njëri-tjetrin”, shtoi Bimo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos