“Ndërhyrjet me karakter konstruktiv janë të mirëpritura, por çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë funksionale të SPAK rrezikon të çbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve”.
Kështu u shpreh kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, në Tryezën e Diskutimit mbi “Vlerësimin e Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme”, organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.
Duke theksuar se rekomandimet duhet të jenë orientuese dhe mbështetëse, pa u bërë mjet për ndikime të njëanshme që minojnë autonominë e institucionit, ai shtoi se respektimi i ndarjes së pushteteve dhe roli i institucioneve të pavarura janë kyç për ruajtjen e balancës kushtetuese, ndërsa theksoi se është e drejtë që ekzekutivi të kufizojë ndikimin e tij në fushat administrative të SPAK.
“Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura por çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë funksionale nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme rrezikon të çbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve. Në thelb s’kanë rol detyrues për SPAK, por orientues dhe mbështetës. Duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve te pavarura, mund të ruajmë balancën kushtetuese. Vërejtja se ekzekutivi të kufizojë ndikimin në sfera administrative është e drejtë.”, shtoi Dumani.
Gjithashtu, Dumani vuri në dukje boshllëqet ligjore që lidhen me përfundimin e mandatit të Prokurorëve të Posaçëm, një çështje që SPAK e ka adresuar me seriozitet në raportimet e tij periodike përpara Kuvendit dhe KLP-së. Ai kërkoi që të gjendet një zgjidhje ligjore për këtë problematikë, duke theksuar se prokurorët e posaçëm meritojnë përgjigje konkrete dhe të qarta.
(A2 Televizion)