Rritet me 20% kërkesa për energji elektrike në korrik, Balluku: OSHEE në gatishmëri të plotë, furnizimi stabil

Nga A2 CNN
7 Korrik 2025, 20:19 | Aktualitet

Rritet me 20% kërkesa për energji elektrike në korrik, Balluku:

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka bërë të ditur sot se kërkesa për energji elektrike gjatë javës së parë të korrikut ka shënuar një rritje me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në një deklaratë, Balluku tha se sipas të dhënave të raportuara nga OSHEE për 6 ditët e para të muajit, në korrikun e vitit 2024 konsumi mesatar ishte 18.6 milionë kWh në ditë, ndërsa në korrik 2025 kjo shifër ka arritur në 22.4 milionë kWh në ditë.

“Kjo rritje vjen si pasojë e temperaturave të larta, por edhe e zgjerimit të kapaciteteve në sektorin e hotelerisë, banesave të reja dhe njësive të biznesit që janë futur në funksion gjatë këtij viti”, theksoi Balluku.

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të konsumit, ministrja siguroi se situata është nën kontroll dhe se grupet e OSSH kanë garantuar një shërbim të qëndrueshëm dhe ndërhyrje të shpejtë në rastet e avarive.

“Punonjësit tanë në terren po bëjnë një punë shumë të mirë. Shkëputjet kanë qenë minimale dhe çdo problematikë që ka lindur nga ngarkesa e shtuar është adresuar dhe zgjidhur në kohë rekord”, nënvizoi ajo.

Balluku mbylli deklaratën e saj duke theksuar angazhimin maksimal të strukturave të OSHEE në këto ditë të nxehta ver. “Mbi 1600 punonjës të OSHEE Group janë të angazhuar në çdo cep të territorit për të garantuar një furnizim të qëndrueshëm dhe shërbim cilësor për qytetarët dhe bizneset”, deklaroi zv/kryeministrja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos