Sot në Korçë u inaugurua godina e re e Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë, një investim që shënon një moment domethënës në marrëdhëniet dypalëshe.
Në ceremoni morën pjesë Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani; Ministri i Jashtëm i Greqisë, z. Georgios Gerapetritis; si dhe përfaqësues të trupit diplomatik, autoriteteve qendrore dhe vendore.
Në fjalën e tij, Ministri Hasani theksoi se ky zhvillim pasqyron përkushtimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, shkruan A2 CNN.
“Ky është një hap konkret në forcimin e pranisë konsullore të Greqisë në Shqipëri dhe një shenjë e qartë e vullnetit tonë për të ndërtuar një marrëdhënie më të hapur dhe konstruktive – të bazuar në respekt të ndërsjellë dhe dialog të rregullt. Kjo ngjarje vjen në një moment me rëndësi për partneritetin tonë strategjik si fqinj dhe aleatë në NATO, në një rajon që ka nevojë për stabilitet dhe koordinim të qëndrueshëm”, tha mes të tjerash Hasani.
Duke vlerësuar mbështetjen e Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë, ai theksoi se:
“Greqia ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm për Shqipërinë – jo vetëm për shkak të historisë dhe lidhjeve mes dy vendeve, por edhe për mundësitë konkrete që kemi për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për qytetarët tanë.”
Ai nënvizoi se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu i rregullt janë thelbësore për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të ndërtuar besim afatgjatë.
Godina e re e Konsullatës është e vendosur në ish-banesën e Giorgos Seferis – poet, diplomat dhe fitues i Çmimit Nobel – i cili shërbeu në këtë qytet si Konsulli i parë i Greqisë në vitet ’30. (A2 Televizion)