Një pjesë e qytetit të Vlorës është zgjuar sërish mëngjesin e kësaj të hënë nën pushtetin e tymit, që si zakonisht vjen nga djegia e vendgrumbullimit të mbetjeve urbane.
Në fakt zjarri në këtë vendgrumbullim ka nisur që mbrëmjen e së dielës por pas ndërhyrjes së autoriteteve lokale ka patur një riaktivizim edhe për shkak të erës në orët e para të së hënës, duke krijuar një situatë shqetësuese sa i takon pranisë së tymit për shumë banorë të zonës.
Në vend ka shkuar edhe kryetari i bashkisë së Vlorës, i cili ka premtuar që brenda një jave do të merren masa për kapsulimin e këtij vend grumbullimi.
Kryebashkiaku i Vlorës ka premtuar gjithashtu se deri në nisje të sezonit veror të këtij viti, vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në lagjen 24 maji të Vlorës do të jetë plotësisht i mbyllur dhe atje nuk do të depozitohen më mbeturina. (A2 Televizion)