Rama inspekton rrugën Bunavi–Kërkovë në Vlorë: Persektivë për 7 fshatra! Batuta dhe bisedë spontane me banorët

Nga A2 CNN
24 Mars 2025, 08:30 | Aktualitet

Rama inspekton rrugën Bunavi–Kërkovë në Vlorë:

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e sotëm duke inspektuar rrugën Bunavi – Kërkovë në qarkun e Vlorës. Në krah të ministrit të mbrojtjes Pirro Vengu, drejtuesit politik të qarkut Bledi Çuçi, kryebashkiakut Ermal Dredha dhe banorëve të zonës, kreu i qeverisë theksoi se kjo do t’i japë një perspektivë të re 7 fshatrave të njësive Shushicë dhe Llakatund, si edhe do t’i shërbejë Bazës Ushtarake të Bunavisë që do të ketë rreth 500 forca të emergjencave civile.

Kryeministri theksoi se do të bëhen ndërhyrjet e nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës së godinave, në mënyrë që të rinjtë të shkollohen në mjedise me kushte optimale. 

“Bazën historike, ushtarake, detare, Shqipëria në Vlorë e ka në histori. Duhet të bëjmë një ndërhyrje këtu. Duhet ta përmirësojmë cilësinë këtu, po bëjmë gjithë atë punë me konviktet dhe shkollat profesionale që do bëhen konvikte europiane që kush çon fëmijën, sidomos nga fshatrat në një shkollë personale, ta ketë me kushtet më të mira. Tani këtu vijnë ushtarakët për muajt e parë duhet t'i bëjmë kushtet optimale. I kemi mundësitë të bëjmë një investim, t'i përmirësojmë këto godina, të bashkëpunojmë edhe me fondin, t'i veshim me sistemin e kursimit të energjisë”, u shpreh Rama.

Banorët e fshatrave përreth, zhvilluan me kryeministrin në një bisedë spontane dhe parashtruan kërkesat e tyre lidhur me infrastrukturën dhe përmirësimin e saj.

Ndër kërkesat e parashtruara nga banorët ishte dhe realizimi i një segmenti që bën ndërlidhjen e unazës së 7 fshatrave, i gjatë 1,1 kilometra, për të cilin kryeministri premtoi se do të bëhet realitet së shpejti.

Pjesë nga biseda:

Rama: Unë me traditë, pa traditë do ta pi kafen.

Qytetari: Na duhesh edhe shumë vite.

Qytetari: Kemi ndërruar për ty.

Rama: Ke ndërru parti për mua. Dëgjo, parti ka ndërruar edhe Churchill kur e kërkon atdheu. Ju i doni me figurat botërore.

Qytetari: Kemi vite që votojmë një parti.

Rama: Ti je tjetër gjë se të ka qëlluar partia e duhur. Këtij që i qëlloi e gabuar, e ndërroi. Kjo partia e re që kemi ka edhe ata 70 e 40, ka edhe të rinjtë. Je penduar se ke ndërruar parti?

Qytetari: Jo, jo.

Rama: Është i vështirë moment i ndërrimit, por më pas kalon.

Kjo është faza e dytë e ndërhyrjes. Është bërë pjesa e parë e rrugës rreth 4 kilometra dhe  aktualisht po punohet për shtesën asfaltike për vazhdimin e kësaj deri në qendër të fshatit Bunavi, dhe një degëzim në qendër të fshatit.

“Kjo është rreth 3 kilometra rrugë, duke i dhënë akses gjithë kësaj zonës, që ashtu siç e thamë, është një zonë me potencial të jashtëzakonshëm agrobujqësor me ullishte fantastike” – shpjegoi Drejtori i FShZh Dritan Agolli.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, informoi se bazës ushtarake të Bunavisë do t’i bashkohen edhe 500 ushtarakë dhe personel mbështetës, të cilët do t’i marrin shërbimet e nevojshme nga banorët e zonës, përfshirë këtu edhe ushqimin me produkte bujqësore të zonës.

“Këtu është edhe baza, kjo është qendra e formimit profesional dhe shkollat e formimit të muajve të parë të të gjithë ushtarakëve, baza e famshme e Bunavisë, të cilës do i bashkohen edhe një brigadë emergjencave civile, që do jetë e dedikuar për qarkun e Vlorës. Ishte i vetmi qark që nuk ishte brigadë të emergjencave civile dhe praktikisht në këtë bazë do jenë në mënyrë permanente 500 ushtarakë dhe personel mbështetës çka e bën edhe një vend ku nevojiten më shumë shërbime dhe ne do të gjejmë një mënyrë së bashku me bashkinë që të mund të marrin shërbime nga banorët e zonës, ushqim nga zona, në mënyrë që të rigjenerohet pak edhe ajo ekonomia lokale.” – u shpreh Ministri Vengu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos