
Deti po i kthen pas të gjitha mbeturinat që hidhen në të. Kjo situatë vërehet në Vlorë përgjatë ditëve me reshje shiu, ku mbeturinat që hidhen në rrjetin e kanalizimeve përfundojnë në det dhe më pas Adriatiku i kthen sërish në bregdet të gjithë ndotjen e shkaktuar aty. Një situatë e tillë vihet re në Lungomare, ku kemi ndotje masive të bregdetit, raporton A2 CNN.
Nazir Habibaj është punonjësi i bashkisë së Vlorës i cili merret çdo ditë me pastrimin e bregdetit në Lungomare. Prej 10 vitesh që ai punon aty, thotë se është një situatë e përsëritur. Habibaj tregon se mbetjet vijnë prej kanaleve kulluese duke përfunduar në bregdet. Sipas Habibajt, qytetarët janë ata që hedhin në kanalizime mbetje të ndryshme që vijnë më pas drejt Adriatikut duke shkaktuar ndotje tej normave të lejuara, shkruan A2 CNN.

Habibaj u bën thirrje qytetarëve që të mos të ndotin, pasi kjo ndotje sipas tij ka pasoja negative. Punën e tij të përditshme, duke parë kaq shumë fluks mbetjesh që vijnë në bregdet, Habibaj e përshkruan si të vështirë për shkak të sasisë së lartë të mbeturinave.

Në bregdetin e Lungomares kanë përfunduar të gjitha mbeturinat e përrenjve dhe kanaleve kulluese që derdhen në det. Aty sheh mbetje plastike, orendi shtëpiake, dru, por edhe mbetje inerte. Gjatë ditëve me mot të përkeqësuar kjo situatë rëndohet edhe më tepër. (A2 Televizion)
