Vetëm Partia Republikane në Serbi ka qëndrime të qarta për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kështu u shpreh në një lidhje direkte me Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, lideri i Partisë Republikane serbe, Nikola Sanduloviç. Ai theksoi se Kosova është dejure dhe de facto shtet i pavarur me institucionet e veta, teksa shprehu keqardhje për pjesën tjetër të politikës serbe, si edhe për bllokadën mediatike që ka hasur për të shfaqur pikëpamjet e tij.
“Ajo që me keqardhje të madhe unë duhet të deklaroj është që për momentin në Serbi vetëm partia republikane ka qëndrime të tilla në publik dhe që janë të pandryshueshme për vite me radhë. Për fat të keq asnjë opsion tjetër politik që veten e quan opozitë nuk ka vendime dhe qëndrime të qarta sic nxjerr unë nga partia republikane që Kosova dejure dhe de facto për 18 vite me radhë është vend i pavarur, me institucionet e veta shtetërore, të cilët janë treguar në vepër. Ajo që është simptomatike dhe jo e mirë në Serbi, është që po përjetoj një bllokadë mediatike dhe që zëri im i vetëdijes nuk mund të arrijë deri te kjo pjesë e Serbisë e cila do ta shihte të arsyeshme të nis këtë rrugë të paqes dhe bashkërisht të kontribuojmë për zgjidhjen e kësaj gjendjeje në të cilën gjendemi për momentin. Sepse kjo gjendje në mes të Serbisë dhe Kosovës me këtë pushtet dhe me këtë propagandë na çon drejt konflikteve të mundshme në të ardhmen”, deklaroi lideri republikan serb Nikola Sanduloviç, në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Ai thekson se është e rëndësishme të dënohen kriminelët e luftës nga të gjitha palët dhe të krijohet një rajon i sigurt dhe i zhvilluar për gjeneratat e ardhshme.
“Meqë gjeopolitika e Europës dhe botës filloi të shkojë në një drejtim të kundërt nga ai në të cilin ne ishim deri më tani. Mendoj që sikur të kisha hapësirë më të madhe mediatike të shpjegoj pse qëndrimet e mia janë të tilla dhe të pandryshueshme dhe pse mendoj që ne duhet ta lëmë të kaluarën mbrapa. Kriminelët e luftës t'i dënojmë nga të gjitha anët dhe gjeneratave që vijnë pas nesh, t'i japim mundësinë të jetojnë në paqe dhe bashkërisht të krijojnë një rajon i cili do të jetë i sigurt për të gjithë ato që vijnë pas nesh, pra në aspektin ekonomik, politik, ushtarak dhe në njerëzor. Pra, të jetojmë pa kufij t'i tregojmë Europës që ne nuk jemi një fis ballkanik i egër që jeton vetëm në luftë dhe në të kaluarën, por që ne mund të gjejmë zgjidhje e cila është e arsyeshme dhe e mirë për tërë komunitetin europian”, u shpreh ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas tij, politika e Partisë Republikane, megjithë mungesën e hapësirës mediatike, po avancon ngadalë drejt njohjes së ndërsjellë të dy vendeve dhe zgjidhjeve të qëndrueshme për Ballkanin.
“Deklaroj që politika e partisë republikane ka simpatizues dhe do të ishin edhe më shumë sikur të kishe hapësirën mediatike dhe sikur Europa do të jepte përkrahje dhe mbështetje më të qartë politikës time. Problem është vetëm në media, sepse në këtë mënyrë njerëzit do të çliroheshin nga frika dhe do të shihnin që ekziston dalja dhe zgjidhja. Kështu unë dhe partia republikane jemi në një terr mediatik, vendoset në televizion opozita e rrejshme, e cila në asnjë moment nuk flet për pavarësinë e Kosovës dhe kremtojnë kriminelët e luftës. Dhe në hapësirën mediatike i ftojnë kriminelët e akuzuar dhe të dënuar siç është Vojislav Sheshel, kDragan dhe nacionalistët e tjerë të dëshmuar duke përfshirë edhe Aleksandër Vulinin dhe atëherë shtrohet pyetja se si Europa pret që nëse nuk ndihmon ato rrymat që kanë zgjidhje dhe japin zgjidhje dhe janë të gatshëm që të zbatojnë këto zgjidhje deri në fund? E pra kjo është njohja e ndërsjellë e dy vendeve”. (A2 Televizion)