Nis viti i ri shkollor! 26 500 nxënës ulen për herë të parë në banka, mbyllen disa shkolla

Nga A2 CNN
8 Shtator 2025, 07:20 | Aktualitet

Nis viti i ri shkollor! 26 500 nxënës ulen për herë të

Nis sot viti i ri shkollor për rreth 345 mijë nxënës dhe 31 mijë mësues. Në bankat e shkollës do të ulen për herë të parë 26 500 nxënës, një numër në ulje ky krahasuar me një vit më parë, ku më klasën e parë u regjistruan 28 mijë nxënës.

Një ditë më parë Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu bëri të ditur se tekstet falas do të jenë për 236 mijë nxënës. Në një postim në rrjetet sociale, ministrja theksoi se këtë vit janë 30 shkolla të reja dhe të rehabilituara, 340 laboratorë smart dhe kurrikulë e re në klasat e IV, si edhe do të rritet numri i oficerëve të sigurisë dhe punonjësve socialë në shkollë me qëllim mbrojtjen e fëmijëve.

“Fillim i mbarë, me tekste falas për 236 mijë nxënës, 30 shkolla të reja dhe të rehabilituara 340 laboratorë SMART, kurrikulën e re në klasat e IV, laboratorë të rinj të shkencave, palestra e terrene të reja sportive. Mësuesit, psikologët, punonjësit socialë, oficerët e sigurisë dhe i gjithë stafi i shkollave tona janë gati të mirëpresin nxënësit në ditën e parë të shkollës. Suksese!”, tha ajo.

Sipas saj transporti falas do të ofrohet për 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues. Po ashtu, janë të disponueshme 3,500 bursa për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje financiare.

Ministria e Arsimit ka njoftuar se këtë vit është përforcuar mbështetja për nxënësit me aftësi të kufizuara, me 2,260 mësues ndihmës, 150 më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Këtë vit Ministria e Arsimit dhe Sportit doli me një udhëzim të veçantë duke përcaktuar rregullat dhe masat për ndalimin e përdorimit të telefonit celular dhe pajisjeve të ndërlidhura me të në institucionet arsimore parauniversitare.

Në mesazhin drejtuar nxënësve, mësuesve, prindërve, një javë nga nisja e viti të ri shkollor, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha se shkolla duhet të jetë një hapësirë e sigurt dhe e përqendruar tek mësimi.

Kujtojmë që ky vit i ri shkollor nis me rënie të theksuar të numrit të nxënëseve në qarqet kryesore të vendit, Korçë, Gjirokastër dhe Shkodër, ku shumë shkolla rrezikojnë të mbyllen.

Pavarësisht rënies së numrit të nxënësve në shkolla, Zëvendës-ministrja e Arsimit, Orjana Osmani ka garantuar mësuesit se nuk do të ketë shkarkime,

Gjatë një interviste në emisionin “Terminal” me gazetaren Aurora Sulçe në A2 CNN, një ditë më parë, ajo tha se do të ketë shtim të disa programeve në shkolla, që do të bëjnë të mundur që mësuesit të vijojnë punën e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos