“Nuk do të lëmë gur të shtratit ligjor të kësaj republike për të vendosur përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale çdo prokuror apo gjykatës që do të sulmojë haptazi shtetin dhe interesin publik në proces me zjarrvënës, zaptues apo gllabërues të të mirave dhe pasurive publike të këtij vendi”. Këtë paralajmërim lëshoi kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë ceremonisë së Mirënjohjes Kombëtare, ku do të jepen medalje dhe shpërblime për të gjitha forcat e angazhuara në operacionet ndaj zjarreve që prekën vendin.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja që të përcjellë pranë organeve drejtuese të gjyqësorit ankesat që ai ka shprehur për gjyqtarët e përmendur së fundmi.
“Kronika e zjarreve të kësaj vere do vazhdojë të rrëfehet gjatë, rreth mijë forca mbeten të gatshme kundër përbindëshit të flakëve që rriten çdo vit, duke ushqyer rreth e rrotull Mesdheut me temperatura në kapërcime të vazhdueshme historike që po që mbijnë nga duart e mendjeve kriminale, që fatkeqësisht gjejnë rrallë aleat në radhët e gjykatësve të këtij vendi. Teksa mijëra njerëz me uniformë derdhin pa kursim energjitë e tyre në një përkushtim që shkon deri në vetëmohim, në një luftë sfilitëse me zjarret. Dhe mijëra hektarë përpiqen nga goja e flakëve, disa personave që nuk iu dihen emrat e nuk iu njihet fytyra me ndjeshmëri njerëzore zero, dhe integritet moral zero me xhufkë, në ajër të kondicionuar mbuluar me tyrbën e zezë të gjykatësit përqeshin sakrificat dhe shkelin me të 4 këmbët interesat e vendit, duke dhënë vendime të ububushme jo në mbrojte të republikës, por në favor të zjarrvënësve. I kam kërkuar ministrit të Drejtësisë t’i përcjellë organet e qeverisjes së gjyqësorit rastet e mësipërme. Nuk janë shumë por mjaft për të vënë duar në kokë. Nuk do të lëmë gur të shtratit ligjor të kësaj republike për të vendosur përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale çdo prokuror apo gjykatës që do të sulmojë haptazi shtetin dhe interesin publik në proces me zjarrvënës, zaptues apo gllabërues të të mirave dhe pasurive publike të këtij vendi. Nuk do të kursejmë çdo mbështetje institucionale për prokurorët e gjykatësit që i shërbejnë misionit kombëtar të Shqipërisë në BE, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe duke qëndruar në mbrojtje të interesit publik“, tha Rama.
Ai vlerësoi punën e forcave zjarrfikëse që u përballën me zjarret në vend dhe përmendi komisarin Agim Troci që u plagos duke luftuar me flakët në Delvinë më 25 korrik. Sipas tij situata me zjarret ishte një kronike e gjatë ethesh dhe dramatike, ndërsa shtoi se heroizmi që treguan zjarrfikësit nderuan shtetin dhe republikën. (A2 Televizion)