Faktin që Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë dhe shumë për të investuar në drejtim të teknologjisë për shuarjen e zjarreve, kryeministri Edi Rama e pranoi teksa nderonte 24 ushtarë, policë dhe zjarrfikës që luftuan me flakët gjatë verës.
Por ai theksoi se kapitali më i rëndësishëm i vendit tonë në këtë drejtim është ai njerëzor, që tregoi në rastet e Delvinës, Gramshit dhe çdo vatre tjetër zjarri që Shqipërinë nuk e lë kurrë në baltë.
“Sot duke nderuar 24 ushtarë, policë e zjarrfikës me medalje duam të nderojmë Shqipërinë që tregoi se po kemi të meta, ende shumë për të investuar në mjete e sisteme inteligjente. S’mund të dilnim nga kjo verë ferri për nga temperaturat pa plagë por kemi një kapital njerëzor që nuk e lë kurrë më Shqipërinë në baltë, mirënjohje të veçantë. Ky kapitull i ndezur jo vetëm nga flakët e pyjeve, por edhe të flakëve sot merr mesazh të vetëm si epilog se dhe përballë flakëve më të egra, Shqipëria tregon forcë të madhe proporcionale. Sa më e madhe sfida dhe të egra flakët, aq më i madh solidariteti dhe ndjenja e përkushtimit dhe aq më të angazhuar profesionalisht njerëzit me uniformë. Le ta përmirësojmë me tej punën duke futur më shumë teknologji, duke punuar më shumë për parandalimin dhe për zjarret e ardhshme dhe duke u përgatitur si për një ndeshje të radhës me një përbindësh që do të vijë të bëhet më i egër. Le të mbështesim më shumë fuqizimin dhe rritjen e këtij kapitali njerëzor, duke bërë gjithçka për të rritur edhe mbështetjen financiare. Me kënaqësi dhe përulësi i jam përgjigjur pozitivisht të gjitha propozimeve nga ministritë për dekorimet dhe shpërndarë disa medalje si një shenjë simbolike, mirënjohje dhe mesazh për të gjithë këtë trup, e cila meriton nderimin më të posaçëm", tha Rama.
Në vijim, shefi i qeverisë nënvizoi se zjarret nuk u shuan nga ekspertët online, por prej mundit dhe djersës së forcave zjarrfikëse.
Rama tha se Shqipëria nuk u thye edhe pse u përfshi nga zjarre te fuqishme gjatë kësaj vere, ndërsa nuk i kurseu kritikat për “zjarrvënësit e mexhlisit”, siç i cilëson ai opozitarët.
“Njëqind misione nga ajri, qindra ndërhyje dhe ky shtet nuk u thye, por tregoi se mekanizimi i mbrojtjes civile nga fshati më i largët deri tek qendra e Tiranës mundi dhe diti të jepte më të mirën edhe pse shumë ka ende për të bërë, nuk munguan dhe ekspertët online të fikjes së zjarrit, as zjarrvënësit e zakonshëm të mexhlisit tonë publik dhe dixhital, por Shqipërinë nuk e mbrojtën ata, por djersa, guximi dhe sakrifica e atyre 10 mijë e kusur njerëzve në vijën e zjarrit pjesë e së cilës përfaqësues jeni edhe ju këtu”, u shpreh kryeministri. (A2 Televizion)