Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e Mirënjohjes Kombëtare të dhënies së medaljeve dhe shpërblimeve për forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve, ka shpjeguar edhe pse Shqipëria ende nuk ka avionë për shuarjen e flakëve.
Rama u shpreh se vendi ynë së shpejti do të ketë në zotërim dy avionë zjarrfikës duke i hapur rrugën ngritjes së flotës përkatëse, por theksoi se mjetet ajrore nuk bëjnë magji në luftën me flakët.
“Avionët nuk janë magjistarë ata janë ndihmës të fuqishëm që nuk na kanë munguar falë mekanizmit evropian, por nuk janë asesi të plotfuqishëm. 22 avionë të gjeneratës së fundit nuk e penguan dot përbindëshin e flakëve ta digjte dhe përcëllonte gjirin e Izmirit duke hapur një plagë të dhimbshme në tokën e Turqisë mike. Avionët janë krah i fuqishëm në betejë edhe ne do të kemi së shpejti flotën e avionëve tanë që do të nisë të ndërtohet me dy avionë zjarrfikës”, tha Rama.
Shefi i qeverisë më tej theksoi se bashkërendimi dhe sakrifica në tokë janë magjia për t’i bërë ballë situatës me flakët. Ai madje kërkoi që të nisë në shkollat e vendit një program për edukimin dhe ndërgjegjësimin për pyjet, me fokusin te mbrojtja dhe ripërtëritja e tyre.
“Magjia është bashkërendimi dhe sakrifica në tokë. Ne mund të bëjmë më shumë dhe më mirë me parandalim më të mençur, pastrim pyjesh, krijim korridoresh natyrore, futje në përdorim të më shumë dronëve për monitorim me kamera termike dhe futjen në përdorim gjerësisht të dronëve për mbjelljet e reja në sipërfaqet e djegura, teknologji me sisteme alarmi të hershëm dhe një funksionim më i mirë i qendrave të integruara të kontrollit për reagim më të shpejtë me mjete tokësore. Këto nuk na çojnë larg pa ndërgjegjësimin dhe edukimin. Çdo shkollë do të bëhet pjesë e vëmendjes, mbrojtjes dhe ripërtëritjes kombëtare për pyjet, ku nxënësit do të marrin pjesë në mbjellje dhe përkujdesje”, deklaroi Rama. (A2 Televizion)