“Obeziteti, problemet me zemrën e shëndetin mendor”, gazetarja tregon arsyet e refuzimit të vizës

Nga A2 CNN
15 Janar 2026, 08:31 | Aktualitet

Sëmundjet kronike, obeziteti, problemet kardiake dhe çështjet e shëndetit mendor si depresioni dhe ankthi janë ndër arsyet kryesore pse Shtetet e Bashkuara refuzojnë vizat emigruese. Kështu u shpreh në Dita Jonë në A2 CNN, gazetarja Klementina Cenkollari, duke iu referuar udhëzimeve të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Sipas këtyre kritereve, individët që mund të përbëjnë kosto të larta financiare për sistemin amerikan shëndetësor dhe social nuk pranohen si banorë të përhershëm.

“Të gjitha këto elementë sipas udhëzimit të Departamentit Amerikan të Shtetit do të kishin një kosto prej mijëra dollarësh për shtetin amerikan. sepse çfarë po synohet përmes kësaj vendimmarrjeje edhe të mëparshme edhe të kësaj të fundit, po synohet që emigrantët që vijnë në Shtetet e Bashkuara për të jetuar këtu, pra për të qenë banorë të përhershëm të mos kthehen në një kosto për taksapaguesit amerikanë”, tha gazetarja në Dita Jonë në A2 CNN.

Sipas saj masat nuk prekin vizat turistike apo studentore, por vetëm vizat migruese, përfshirë Green Card-at, bashkimet familjare apo ndryshimin e statusit nga një vizë e përkohshme në të përhershme. Të gjithë aplikantët për këto kategori janë të detyruar t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore, verifikimit për sëmundje ngjitëse dhe marrjes së vaksinave të detyrueshme, qoftë brenda SHBA-së apo pranë mjekëve të autorizuar nga ambasadat amerikane jashtë vendit.

“Jo ata që vijnë me vizë turistike apo me vizë studenti, por ata që vijnë me vizë emigruese, të gjithë ata duhet të kenë bërë një kontroll të gjendjes së tyre shëndetësore, të kontrollohen nëse kanë apo jo sëmundje ngjitëse dhe është detyruese që të marrin gjithashtu edhe një sërë vaksinash. Pra edhe për ata shtetas të huaj të cilët janë edhe këtu në Shtetet e Bashkuara dhe synojnë të ndryshojnë statusin e tyre, pra të të kalojnë nga një vizë jo emigruese si për shembull vizë studenti apo një vizë tjetër dhe duan të kalojnë një vizë të përhershme edhe ata duhet t'i bëjnë këto vaksina edhe ata duhet të kalojnë tek kontrolli shëndetësor. Kur ndodhen këto në Shtetet e Bashkuara ka disa klinika të posaçme, ndërsa nëse ndodhen jashtë Shtetet e Bashkuara duhet të shkojnë tek një mjek i cili është i miratuar nga konsullata apo ambasada amerikane e vendit respektiv”, shpjegoi ajo në Dita Jonë në A2 CNN.

E pyetur se çfarë thonë ekspertët dhe mbi këtë vendimmarrje, gazetarja tha se pezullimi i përkohshëm i vizave emigruese për rreth 75 vende mund të bllokojë deri në 315 mijë emigrantë të ligjshëm brenda një viti.

Kjo vendimmarrje është pjesë e politikës së administratës Trump për të ulur emigracionin dhe kostot publike, megjithëse studime të ndryshme tregojnë se emigrantët kontribuojnë ndjeshëm në ekonominë amerikane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos