Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhuroi të mërkurën SPAK-ut 25 laptopë, 25 printera/skanera dhe aksesorë, shkruan A2 CNN. Sipas një publikimi në rrjetet sociale nga vetë OSBE, ato do të përdoren nga 13 grupet hetimore në terren si dhe nga struktura qendrore në Tiranë. Asistenca teknike do të pasohet nga trajnime për rritjen e kapaciteteve.
“Në takimin e zhvilluar sot, ambasadori Michel Tarran dhe drejtuesi Altin Dumani theksuan rëndësinë e mekanizmave të fortë institucionalë për mbrojtjen e proceseve zgjedhore. Tarran përgëzoi SPAK-un për nismën dhe përkushtimin për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore”, thuhet në njoftimin e OSBE.
“Drejtuesi Dumani falënderoi OSBE-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe shtoi se pajisjet do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të prokurorëve të posaçëm dhe hetuesve në evidentimin në kohë dhe ndjekjen efektive të krimeve zgjedhore”.
Dhurimi i pajisjeve u bë i mundur si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri”, i cili financohet nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia. (A2 Televizion)