
Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen e pagave të gjyqtarëve, duke vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e paraqitur prej tyre.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të detyrojë Kuvendin të bëjë ndryshime ligjore brenda 31 korrikut 2027.
Pra, Gjykata ka pranuar kërkesën e Unionit duke e gjetur të drejtë kërkesën e tyre që paga duhet të rritet, por i jep të drejtën Kuvendit që të përcaktojë referencën e pagave. Mund ta vendosin deputetët se ku do referohen për pagat e gjyqtarëve, te Presidenti apo çdo funksionar tjetër publik.
Sipas gjykatës, gjyqtarët kanë pasur ulje të fshehtë të pagës, pasi prej vitesh nuk ka pasur rritje, por rritje kanë pësuar çmimet.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, për arsyet e mësipërme, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
2. Shfuqizimin e fjalisë së parë të shkronjës “a” të nenit 1, si dhe të pikës 2 të nenit 2 të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
3. Detyrimin e Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, brenda datës 31.07.2026.
4. Efektet e shfuqizimit sa më lart hyjnë në fuqi ditën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore dhe, në çdo rast, jo më vonë se data 31.07.2026.
5. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese. (A2 Televizion)