Plagosja e 18-vjeçares, lirohet nga qelia Vladimir Gjuta, mbetet në burg nipi

Nga Armand Bajrami
17 Shkurt 2026, 18:19 | Kronikë

Pas 3 ditësh izolim, Gjykata e Tiranës liroi nga paraburgimi Vladimir Gjutën, i arrestuar pas plagosjes me armë zjarri  në rrethana të paqarta të një 18-vjeçareje në një hotel në pronësi të familjes së tij në zonën e Saukut në kryeqytet.

Personazhi i njohur për një sërë precedentësh penale dhe përballjesh me drejtësinë do të hetohet në masën e “detyrimit për paraqitje” për veprën penale të “moskallëzimit të krimit” dhe “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. E njëjta masë sigurie për të njëjtat akuza u caktua edhe për Myrvete Rexhmatin Gjutën. Ndërsa për 22-vjeçarin Erisjaldi Gjuta, të dashurin e vajzës së plagosur, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”.Ai akuzohet edhe për “armëmbajtje pa leje”, raporton A2 CNN.

Anëtarët e familjes Gjuta u arrestuan në orët e para të 14 shkurtit, pasi një 18-vjeçare u dërgua nga anëtarë të familjes Gjuta në QSUT e plagosur me armë zjarri në kraharor. Para oficerëve të policisë vajza pretendoi se ishte vetëplagosur, ndërsa shoqëruesit e saj thanë se e kishin gjetur të plagosur pranë rrethrrotullimit të Fakultetit Ekonomik.

Nga veprimet hetimore rezultoi se vajza kishte dalë e plagosur nga hoteli i familjes Gjuta në Sauk. E reja pranoi se ngjarja kishte ndodhur në një nga dhomat e hotelit, shkruan A2 CNN.

E mbërritur në vendin e ngjarjes policia nuk gjeti as armën e zjarrit dhe asnjë shenjë në vendin e ngjarjes e për këtë shkak, ndaj 5 anëtarëve të familjes Gjuta u ngritën dyshime për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Përveç tre personave që dolën për masë para gjykatës, policia vijon kërkimet për Sajmir Gjutën, babain e 22-vjeçarit Erisjaldo Gjuta dhe kushëriri i tij, Elvir Gjuta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos