Përmbytjet në vend, Emergjencat Civile urdhra evakuimi në tre zona

Nga Gazmend Janku
8 Janar 2026, 14:00 | Aktualitet

Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet strukturës së saj të posaçme për emergjencat civile, ka urdhëruar evakuime të menjëhershme të banorëve në të paktën tre zona të vendit, ku rrezikoheshin jetët e tyre si pasojë e prurjeve të larta të lumenjve.

Alarmi i parë i evakuimit u dha për banorët e Novoselës, pasi lumi Vjosa kishte nivele të larta prurjesh dhe, në afërsi të urës së Mifolit, nisën përmbytjet e tokave bujqësore dhe të banesave.

Të njëjtat struktura lëshuan alarme evakuimi edhe për banorët e zonës së Sukthit dhe Katundit të Ri në Durrës, si dhe për fshatin Ferras, në afërsi të Cakranit në Fier.

Novosela dhe Ferrasi ndodhen përgjatë rrjedhës së lumit Vjosë, ndërsa njësitë administrative të Sukthit dhe Katundit të Ri në Durrës rrezikohen nga prurjet e lumit Erzen.

Menjëherë pas urdhrave për evakuime të menjëhershme, strukturat e emergjencave civile, të mbështetura nga Policia dhe strukturat e pushtetit lokal, kanë nisur verifikimet në çdo banesë që rrezikohet nga përmbytjet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos