Në lidhje me tensionet e krijuara në zonën e Thethit, pas aksionit të IKMT për prishjen e ndërtimeve të ngritura pa leje, Arqipeshkvia Shkodër-Pult ka reaguar me një deklaratë publike.
Arqipeshkvia shpreh shqetësimin e saj, në veçanti për përplasjet mes banorëve dhe autoriteteve shtetërore, ku ditën e sotme eskaluan deri në hedhjen e molotvëve dhe drejtimin e armëve nga ana e policisë.
Në deklaratën zyrtare thuhet se Kisha Katolike qëndron gjithmonë në anën e paqes dhe të arsyes, duke bërë thirrje për qetësi, dialog dhe respekt për jetën njerëzore.
“Dënojmë me vendosmëri të gjitha format e dhunës, nga cilado palë që të vijë ajo”, thuhet në qëndrimin e Arqipeshkvisë, e cila solidarizohet me të gjithë njerëzit vullnetmirë që sipas tyre punojnë me ndershmëri, sakrificë dhe dinjitet.
Gjithashtu, deklarata vë theksin tek rëndësia e respektimit të ligjit dhe drejtësisë si detyrë thelbësore për çdo qytetar.
“Ne besojmë se është themelore ta mbrojmë mjedisin, një dhuratë e çmuar nga Zoti, por në të njëjtën kohë, është gjithashtu e nevojshme të mbrojmë ata që përpiqen të jetojnë ndershmërisht dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre.”
Në përmbyllje, Arqipeshkvia shpreh lutjen dhe shpresën që situata të marrë një zgjidhje sa më të shpejtë dhe në frymë mirëkuptimi. (A2 Televizion)