Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, ka zbuluar në emisionin ‘Dita Jonë’ në A2 CNN se kanë kaluar për konsultim publik një ndryshim ligjor për të luftuar piraterinë online.
Krasniqi tha se ky projektligj synon që të imponojë kompanitë e internetit në vendin tonë që në rast se vihet re ndonjë rrjedhje materiali pa të drejta transmetimi, të mbyllin brenda 30 minutave IP-në përkatëse.
Teksa tha se pret që kjo nismë ligjore të votohet në Kuvend dhe të bëhet ligj, Krasniqi shtoi se piratimi online në Shqipëri ndodh kryesisht në periudhën e kampionateve futbollistike.
“Kush po piraton? Emrat nëse do i kishim do i kishim dërguar në organet ligjzbatuese. Ka pirateri nga brenda vendit dhe nga jashtë vendit. Ka pirateri që nuk janë pjesë e juridiksionit të institucionit tonë. Sepse juridiksioni jonë është vetëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Ne vëmë re një fenomen piraterie që shfaqet kryesisht në periudhën e kampionateve, ndeshjeve.
Pirateria është fenomen global me të cilin përballen homologët tanë në të gjithë Europën. Janë vendosur kriteret më të forta ligjore dhe kemi nxjerrë për konsultim publik një ndryshim ligjor të cilin kemi ndërmend ta kalojmë me një paketë ligjore e cila do të shkojë shumë shpejt pranë Kuvendit të Shqipërisë. Tashmë procesi ka qenë publik dhe të gjithë janë të informuar.
Kemi pasur edhe diskutime. Ndryshimi është i thjeshtë. Pra burimi kryesor i internetit, pra ‘X’ kompani, njoftohet nga institucioni që është në rrjetin tonë, që është duke rrjedhur një material pa të drejta transmetimi, ai ka të drejtë për 30 minuta të mbyllë IP përkatëse për individin e caktuar. IP janë brenda Shqipërisë dhe interneti zhvillohet brenda Shqipërisë.
Pra 3-4 kompanitë kryesore të internetit që janë në vendin tonë duhet të kenë këto instrumenta në mënyrë që të bëjnë të mundur brenda 30 minutave ndërprerjen e kësaj piraterie. Por kjo duhet të shkojë në Kuvend dhe të bëhet më pas ligj”, tha mes të tjerash Krasniqi. (A2 Televizion)