Pritet data e zgjedhjeve për Tiranën, e ngarkuara me punë e SHBA takon Presidentin Begaj

Nga A2 CNN
1 Tetor 2025, 12:21 | Aktualitet

Pritet data e zgjedhjeve për Tiranën, e ngarkuara me punë e SHBA

E ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane më Tiranë, Nancy VanHorn, ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim në Presidencë, me Kreun e Shtetit, Bajram Begaj.

Janë të paqarta arsyet e takimit në Presidencë, por ai ndodh vetëm 24 orë pasi qeveria njoftoi Presidencën për vakancën e krijuar në Bashkinë e Tiranës, pas shkarkimit të Erion Veliajt.

Ky akt që ngjan si një burokraci institucionale ka shkaktuar një efekt domino në nenet e ligjeve që aktivizojnë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ndryshe nga aktet e ndërlikuara juridike, vajtja e shkresës në Presidencë do të thotë se Bajram Begaj ka afat deri në datën 2 tetor për të dekretuar datën e zgjedhjeve të pjesshme.

Por dilema më e madhe lidhet me datën se kur do të zhvillohen zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, pasi Erion Veliaj zyrtarisht ka kundërshtuar vendimin e Edi Ramës në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit e ka regjistruar atë duke njoftuar edhe publikun, përfshirë edhe Presidentin e Republikës.

Ankimi në Gjykatë, sipas kushtetutës, do të thotë se efektet që ka sjell akti i shkarkimit pezullohet derisa të shprehet trupa, apo thënë thjeshtë, shkarkimin e Veliajt do ta caktojë zyrtarisht Gjykata Kushtetuese, dhe derisa të shprehet ajo, Bajram Begaj nuk mund të dekretojë një datë për zgjedhje në kryeqytet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos