Zhurmën e debatit dhe përplasjes politike në komisionet e Parlamentit, e theu si asnjëherë më parë zëri i një foshnje të lindur vetëm pak javë më parë.
Pjesëmarrësi më i ri në Kuvend këtë të martë ishte Blini, fëmija i katërt i deputetes socialiste Ilva Gjuzi, i cili shoqëronte mamanë e tij në punë. Deputetja e re socialiste u shfaq së bashku me djalin një muajsh të lidhur rreth trupi të saj për të marrë pjesë në komisionin e burimeve natyrore.
Ledhatimet mes mamasë deputete dhe bebes së saj shfaqen për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë, një miksim i punës parlamentare dhe prindërimit që në Europë nuk është më prej kohësh tabu.
Urimet i mori edhe nga kolegët e majtë dhe të djathtë, duke uruar që të sjellë mbarësi si dhe një reflektim që të zgjedhurit të mendojnë edhe për të ardhmen e fëmijëve.
Edhe pse mori pjesë në punimet e komisionit, anëtari më i ri nuk kishte të drejtë vote, por aftësinë të ndikuar të zgjedhurit e popullit, e fitoi me mbledhjen e parë. (A2 Televizion)