Përmbytjet e Vaut të Dejës, banorët frikë për jetën gjatë periudhës së dimrit

Nga Senad Nikshiqi dhe Gazment Janku
27 Tetor 2025, 15:17 | Aktualitet

Ujërat që vërshuan gjatë ditës së diel në mbi 100 banesat dhe tokat bujqësore të Vau të Dejës, gjatë ditës së hënë është tërhequr duke lënë pas dëmet e shkaktuara veçanërisht në banesa dhe bizneset familjare të zonës.

Një prej banorë të prekur nga këto përmbytje është  Ernest Paluku, i cili banon pranë përroit të Glinës që shkaktoi përmbytjet. Sipas tij ardhja e ujit ka qenë shumë e shpejtë dhe fati që ndodhi gjatë mëngjesit bëri që banorët të shpëtojnë veten e tyre, pasi në të kundërt gjatë orëve të natës pasojat mund të ishin shumë të rënda.

Ai shprehet se përveç dëmeve të mëdha, frika për të banuar në banesë gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit, është e madhe. Ai shprehet se duhen investime nga qeveria qëndrore për të garantuar jetën dhe bizneset e banorëve të zonës.

Në të njëjtën linjë është edhe nënkryetari i bashkisë së Vau Dejës, Ervis Preçi, sipas të cilit ndërhyrjet e bashkisë së përrua janë momentale dhe nuk garantojnë shmangien e përmbytjeve në të ardhmen.

Vau i Dejës është bashkia më e prekur nga këto përmbytje por probleme nga vërshimi i përrenjve kishte edhe në Gurin e Zi apo Kryebushat dhe tek Harku i Bërdicës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos