Punimet në rrugën e Komanit, banorët: Na keni fal jetë! Interes për të investuar në turizëm

Nga A2 CNN
10 Mars 2025, 08:16 | Aktualitet

Rruga e Komanit që lidh dy hidrocentrale në këtë zonë, po vijon me ritme të larta. Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm pamjet nga punimet, si edhe disa opinione të qytetarëve për këtë investim.

“Mirëmëngjes dhe me disa opinione qytetarësh nga kantieri i Rrugës së Komanit, një aks i 31 km që lidh dy hidrocentralet duke rritur sigurinë e qarkullimit, si edhe duke i dhënë një hov të ri turizmit të kësaj tjetër zone të bekuar të Shqipërisë, ju uroj një javë të mbarë!”, shkruan Rama në Facebook, përcjell A2 CNN.

Shkurtimi i kohës së transportit me ndërtimin e kësaj rruge do të ndihmojë shumë edhe shëndetësinë, thotë një banore.

“Të gjithë kanë përfituar prej kësaj rruge, por më shumë shëndetësia. Shkurtohet koha e transportit të të sëmurëve. Me hapjen e rrugës na keni fal jetë”, thotë një banore, raporton A2 CNN.

Një nga banorët e kthyer nga emigrimi vlerëson këtë investim, duke u shprehur interesin e rritur për të investuar.

“Më e rëndësishmja në këtë zonë është rruga. Jam kthyer prej emigrimit, kam hapur një biznes, por pengesa më e madhe është rruga. Që kur ka nis të bëhet rruga ka interes me ardh me punu, me investu. Çelësi i kësaj zone është rruga e Komanit. Po krijon edhe besimin, premtimi i dhënë po bëhet realitet, dy herë frymëzim, edhe po na bëhet rruga edhe premtimi i dhënë u bë realitet”, thotë një nga banorët e zonës që është kthyer nga jashtë vendit, për të investuar”.

Me interes për të investuar e shohin edhe të rinjtë. “Për ne të rinjtë që jemi prej komani na bën që të kthehemi te vendi ynë dhe të investojmë te vendi ynë, si edhe të ndihmojmë prindërit tanë”, thotë një vajzë e re.

Puna ka nisur me 10 kilometrat e parë nga Komani në drejtim të Vaut të Dejës, në segmentin ku gjendja e rrugës ka qenë më e dëmtuar. Rruga e Komanit lidh qytetin e Shkodrës me liqenin e Komanit dhe vazhdon drejt Fierzës, duke shërbyer si pjesë e një itinerari të rëndësishëm për ata që udhëtojnë drejt Alpeve Shqiptare. Kjo zonë është një nga destinacionet turistike kryesore të qarkut të Shkodrës, pasi të çon drejt lumit të Shalës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos