Anëtarja e kryesisë së lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Edona Haklaj, deklaroi se qytetarët shqiptarë jetojnë nën frikë dhe presion, duke theksuar se pa largimin e kryeministrit Edi Rama nuk mund të ketë liri dhe demokraci të vërtetë. A2 CNN raporton se gjatë fjalës së saj në protestë, Haklaj tha se prej javësh ajo dhe të rinj të tjerë protestojnë përballë Kryeministrisë dhe takojnë çdo ditë qytetarë që, sipas saj, kanë frikë të bashkohen për shkak të pasigurisë në punë, presionit mbi familjarët në administratë, pensioneve dhe ndihmës ekonomike.
“Në gjithë këto vite që na kanë qeverisur janë munduar të na vjedhin lirinë dhe dinjitetin. Shikoj shpesh analistë nëpër studio televizive se thonë nuk është e vërtetë që populli ka frikë. Në fakt prej 27 ditësh dhe netësh me të rinj e të reja protestojmë përballë kryeministrisë dhe takojmë çdo ditë qytetarë, nuk është e vërtetë se s'kanë frikë. Kanë frikë se i heqin nga puna. Kanë frikë për fëmijët e tyre se i kanë në administratë. Kanë frikë për ndihmën ekonomike, kanë frikë për pensionin. Kanë frikë sepse nuk ja dalin të mbijetojnë me dinjitet në këtë vend. Kanë frikë, sepse ua kanë instaluar frikën dhe për të hequr frikën e tyre duhet të heqim këta që janë në qeveri”.
Sipas Haklajt, shteti është i kapur dhe institucionet janë vënë nën kontroll nga qeveria aktuale. Ajo theksoi se protesta është forma e vetme për të reaguar dhe për të kërkuar ndryshim, shkruan A2 CNN.
"Po pse po protestojmë ne ditë dhe natë? Pse jemi dhe sot në këtë shesh? Jemi sepse shteti është i kapur. Sepse Edi Rama dhe banda e tij kanë kapur çdo institucion, çdo organizatë dhe çdo qytetar. Çfarë duhet të bëjmë ne? Duhet të heshtim? Jo, ne duhet të reagojmë. Ne duhet të protestojmë. Ne duhet të kërkojmë dorëheqjen e tij", tha Haklakj, përcjell A2 CNN.
Ajo kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore 12-mujore, të përbërë nga profesionistë, e cila do të përgatisë vendin për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike.
“Prandaj ne sot me çdo qytetar të pranishëm këtu, me çdo qytetar që na ndjek dhe nuk ka ardhur fizikisht, kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës. Kërkojmë gjithashtu krijimin e një qeverie tranzitore të përbërë nga profesionistë dhe ekspertë të fushave me një mandat 12 mujor. Pikërisht kjo qeveri tranzitore do jetë ajo që do përgatisë vendin për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike që më në fund të na udhëheqin dhe drejtojnë profesionistët dhe jo hajdutët”.
(A2 Televizion)